Java e 21-të e La Ligës i buzëqeshi Barcelonës, e cila u rikthye menjëherë në vendin e parë të renditjes pas fitores 3-0 ndaj Real Oviedos, duke iu përgjigjur presionit të Real Madridit. Skuadra katalanase kaloi një pjesë të parë të vështirë, por shpërtheu në fraksionin e dytë të lojës, duke siguruar tri pikë shumë të rëndësishme.
Takimi nisi me ritëm të ulët për Barcelonën, që hasi vështirësi në ndërtimin e lojës përballë një Oviedoje të organizuar. Cancelo u aktivizua si titullar dhe mbrojtja blaugrana rrezikoi seriozisht në një episod të pjesës së parë, ku vendasit ishin pranë golit. Megjithatë, paefikasiteti i Oviedos dhe eksperienca e Barcelonës bënë diferencën.
Në pjesën e dytë, gabimet mbrojtëse të Oviedos u shfrytëzuan maksimalisht nga katalanasit. Dani Olmo hapi serinë e golave në minutën e 51-të, duke çliruar ekipin e Flick. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Raphinha dyfishoi shifrat, ndërsa talenti i ri Lamine Yamal vulosi fitoren në minutën e 73-të me një realizim që konfirmon formën e tij në rritje.
Me këtë sukses, Barcelona ngjitet në kuotën e 52 pikëve, një më shumë se Real Madrid (51), duke marrë sërish kreun e La Ligës. Ndërkohë, Atlético Madrid u ngjit në vendin e tretë pas një fitoreje të pastër 3-0 ndaj Mallorcas.
Në anën tjetër, Real Oviedo vazhdon krizën, duke mbetur në vendin e fundit të renditjes me vetëm 13 pikë, gjithnjë e më larg objektivit për mbijetesë, transmeton rtsh.




