Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Gjenevë organizon një mbrëmje të veçantë kulturore dhe artistike, duke sjellë para publikut zviceran dhe diasporës shqiptare një koncert gala me pjesëmarrjen e tenorit kosovar me famë botërore, z. Rame Lahaj.
Sipas informacioneve të siguruara nga helveticAlforum.ch, koncerti do të mbahet më 23 shkurt 2026, duke filluar nga ora 19:30, ndërsa dyert e sallës do të hapen nga ora 18:30. Ngjarja do të zhvillohet në ambientet prestigjioze të Victoria Hall, në adresën Rue du Général-Dufour 14, 1204 Genève.
Në këtë mbrëmje festive, përveç Rame Lahajt, do të performojë edhe Marigona Qerkezi, soprano e njohur shqiptare, si e ftuar speciale, ndërsa në piano do t’i shoqërojë Kamal Khan. Programi artistik i koncertit do të përfshijë një repertor të pasur dhe të larmishëm, që ndërthur vepra nga tradita muzikore shqiptare me kryevepra të muzikës klasike ndërkombëtare.
Ky koncert pritet të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore, jo vetëm për komunitetin shqiptar në Zvicër, por edhe për publikun e gjerë, duke promovuar kulturën, artin dhe identitetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Pjesëmarrja në koncert është e mundur vetëm me rezervim paraprak, përmes linkut zyrtar:
https://bit.ly/3ZhqHEm
Ngjarja shënon një tjetër moment domethënës në kalendarin e aktiviteteve të organizuara nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës, duke e festuar Pavarësinë përmes artit dhe muzikës së nivelit më të lartë, transmeton helveticALforum.ch




