Nga Dashnim HEBIBI
Të shtunën, më 17 janar 2026, ambientet e Alte Mühle do të jenë dëshmitare të një mbrëmjeje kulturore të veçantë, ku fjalën e saj do ta ketë një figurë e shquar e jetës shqiptare në diasporë, Prof. Dr. Xhavit Lipaj. Një personalitet i njohur në fushën e mjekësisë, ekspert i demencës, por edhe poet, kritik letrar dhe përkthyes, Dr. Lipaj do të ndanë me të pranishmit fjalë vlerësimi për dy libra të jashtëzakonshëm, duke sjellë jo vetëm mendim profesional, por edhe emocion kulturor. Ai ka qenë përkthyes i njërit nga librat që do të prezantohen dhe njihen mirë me autorët, duke i dhënë kështu mbrëmjes një dimension të veçantë për të gjithë dashamirësit e letërsisë.
Siç ka mësuar helveticALforum, Prof. Dr. Lipaj ka shprehur kënaqësinë e tij për të marrë pjesë dhe ka vlerësuar lart punën e autorëve, duke theksuar se kjo mbrëmje do të jetë një mundësi e veçantë për reflektim dhe festim të kulturës shqiptare në diasporë.
Mbrëmja do të nisë në ora 19:00 me apero, ndërsa programi zyrtar fillon në ora 19:30. Në qendër të vëmendjes do të jetë promovimi i librit më të ri “Udhëtim drejt rrënjëve”, i cili përçon mesazhe të thella për identitetin, rrënjët dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Përveç promovimit, programi do të përfshijë edhe një moment solemn simbolik surprizë, si dhe një pjesë kulturo-artistike të kuruar me përkushtim, që do të pasqyrojë pasurinë e shpirtit dhe artit shqiptar.
Ngjarja organizohet në kuadër të Flakës së Janarit, simbol i qëndresës, sakrificës dhe kujtesës kombëtare. Flaka e Janarit kujton ata që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e kombit, duke u shndërruar në një thirrje për reflektim, unitet dhe vazhdimësi kulturore, veçanërisht në diasporë.
Përveç Prof. Dr. Lipaj, mbrëmjen do ta nderojnë personalitete të njohura të jetës publike dhe kulturore, ndër ta: Darling Vlora, pasardhës i Ismail Qemal Bej Vlorës; Arsim Mulliqaj, publicist i mirënjohur; Mehmet Ballazhi, Kryetar i Komunës së Hanit të Elezit; Shaban Tërstena, legjendë e sportit të mundjes; autorët e librave, artistë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në diasporë.
Librat, me nga 400 dhe 600 faqe, janë botuar nga shtëpia botuese “Libri im” nga Peja, me editor Berat Thaçi dhe redaktor teknik Xhavit Thaçi. Edhe pse redaktori i librit, z. Jeton Arifi, nuk mund të jetë fizikisht i pranishëm për shkak të angazhimeve të tij të ngarkuara, ai mbetet një pjesë e rëndësishme e këtij suksesi, duke siguruar redakturën e librave që do të prezantohen.
Në kuadër të kësaj mbrëmjeje, Instituti Helvetik Shkencor i Evropës Juglindore, me qendër në Cyrih, do të ndajë edhe çmimin “Ikona e Diasporës”, një nderim simbolik për kontributin në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore shqiptare jashtë atdheut.
Prania e Prof. Dr. Xhavit Lipaj jo vetëm që do t’i japë peshë akademike dhe kulturore kësaj ngjarjeje, por do të bëjë të mundur një lidhje të thellë mes fjalës, poezisë dhe kujtesës kolektive shqiptare. Një mbrëmje ku leximi dhe arti bashkohen në një reflektim të bukur mbi rrënjët, kulturën dhe identitetin, transmeton helveticALforum.ch
Adresa: Alte Mühle, Mühleweg 23,
4900 Langenthal, Zvicër
Info: 078 240 50 00
Mirë se vini në një mbrëmje ku kultura shqiptare ndriçon në diasporë!




