2.9 C
Zurich
Monday, January 12, 2026
spot_img
spot_img

LIBRI MONOGRAFIK I SH.K.A. “DARDANIA” NË DUART E ISH-PROFESORIT – NJË TAKIM QË LIDH BREZA

Duhet ti lexosh

Shefqet Cakolli, kryetar i Shoqërisë Kulturore Artistike “Dardania”, me seli në Winterthur të Zvicrës, kudo që shkon përpiqet të njoftojë bashkëkombësit për punën dhe kontributin e çmuar që kjo shoqëri po jep në diasporë. Misioni i saj është i qartë dhe fisnik: ruajtja e gjuhës shqipe, e traditave tona kombëtare dhe përcjellja e tyre te gjeneratat e reja, të lindura e rritura larg atdheut.

Në kuadër të takimit të gjeneratës së maturës së viteve 1979/80, patëm rastin të takonim disa nga profesorët tanë të nderuar. Njëri ndër ta ishte profesori i gjeografisë, z. Safet Rexhepi – një emër i respektuar i arsimit kosovar. Ai kishte filluar karrierën e tij si profesor në Gjimnazin e atëhershëm të Komunës së Kamenicës, vetëm 24 vjeç, për të vazhduar më pas mbi 40 vjet në edukimin e shumë gjeneratave, jo vetëm në Kamenicë, por edhe në Gjilan.

Nga modestia dhe respekti, e vizituam profesorin Rexhepi edhe në shtëpinë e tij në Gjilan. Edhe pse tashmë i pensionuar, ai vazhdon të mbetet aktiv në fushën e arsimit dhe kulturës, duke punuar në libra dhe shënime që lidhen me organizimin e kuizeve diturore nëpër shkolla, të cilat i ka përmbledhur edhe në një libër të veçantë.

Vizita jonë kishte edhe një dimension tjetër – afrinë familjare dhe lidhjen e sinqertë ndërmjet nxënësit dhe profesorit, një raport që i ka rezistuar kohës dhe viteve. Ishte emocionuese të shihje krenarinë e profesorit për nxënësit e tij, të cilët sot janë kuadro të profileve të ndryshme, disa prej tyre edhe me tituj akademikë, duke dhënë kontribut të çmuar në fusha të ndryshme, përfshirë edhe kulturën.

Me këtë rast, patëm nderin t’i dhuronim profesor Rexhepit librin monografik të SH.K.A. “Dardania”, si dhe revistën e botuar me rastin e 30-vjetorit të themelimit të shoqërisë – një koicidencë e bukur që i kishim me vete atë ditë. Gjatë bisedës, i shpjeguam për aktivitetet, angazhimet dhe sukseset e shoqërisë sonë në diasporë. Edhe pse profesori kishte ndjekur prej vitesh paraqitjet tona publike, librin monografik dhe revistën i mori për herë të parë në dorë si lexues i apasionuar dhe intelektual i përkushtuar ndaj librit.

U ndamë nga kjo vizitë e ngrohtë familjare me ndjenjën se dera e kësaj shtëpie ka qenë dhe mbetet e hapur për miq e familjarë, ashtu siç ka qenë gjithmonë traditë te shqiptari. Mikpritja, bujaria dhe respekti për dijen janë vlera të trashëguara brez pas brezi – vlera që na bashkojnë dhe na bëjnë krenarë për identitetin tonë kombëtar.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme