
Nga Dashnim HEBIBI
Jetojmë në një kohë të çuditshme, ku pesha e njeriut nuk matet më me mendje, por me xhep. Një kohë kur pasuria shpesh kthehet në armë, dhe i varfri ngulfatet jo pse është i paaftë, por sepse nuk ka. Sot, i pasuri mundohet të mbivendoset mbi të varfrin edhe kur ky i fundit është më i ditur, më i ndershëm dhe më njerëzor. Pasuria, në shumë raste, është fat. Por mendja, karakteri dhe ndërgjegjja nuk janë fat — janë punë, sakrificë dhe rrugëtim.
Ka njerëz që vrapojnë gjithë jetën për të grumbulluar pasuri, duke harruar se jeta nuk është vetëm fitim, por edhe drejtësi. Ka të tjerë që zgjedhin të jetojnë me ndërgjegje, jo për të pasur shumë, por për të qenë të pastër në shpirt. Ata nuk bëjnë zhurmë, nuk ekspozohen, nuk shtyjnë bërrylat për t’u dukur. Ata jetojnë me bardhësi, edhe pse shpesh mbeten në hije.
Pleqtë tanë e thoshin qartë: “Nuk flet guna ose kostumi, por mendja.” Sot, kjo thënie duket sikur ka humbur kuptimin.
Sot flasin plastika, dukja dhe xhepi. Sot vlerësohet më shumë pamja sesa përmbajtja, më shumë fasada sesa thelbi. Mendja, dituria dhe përvoja po shtyhen në cep, ndërsa mediokriteti vishet me kostum dhe shitet si sukses.
Duhet ta pranojmë realitetin, sado i dhimbshëm të jetë. Po jetojmë një kohë ku rolet janë përmbysur: mjeku shet në shitore, ndërsa shitësi shet “dituri”. Pseudointelektualët kanë zënë hapësirën publike, duke tregtuar fjalë boshe si mençuri, ndërsa ata që dinë vërtet, shpesh heshtin ose shtyhen mënjanë.
Deri kur do të shitet dituria nga ata që nuk e kanë? Deri kur do të ngatërrohet zhurma me vlerën, arrogance me suksesin, dhe pasuria me dinjitetin? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje, jo justifikime.
Megjithatë, dorëzimi nuk është zgjidhje. Edhe në këtë kohë egoizmi, njeriu i ndershëm duhet të qëndrojë drejt. Mendja mund të mos vlerësohet sot sa duhet, por ajo mbetet e vetmja gjë që i reziston kohës. Paraja shpenzohet, pamja zbehet, plastika plaket — por dituria dhe ndërgjegjja mbesin.
Koha e turpit, thoshin pleqtë. Ndoshta kanë pasur të drejtë. Por çdo kohë e errët ka nevojë për njerëz që nuk shiten, që nuk bëjnë kompromis me ndërgjegjen dhe që besojnë se njeriu nuk vlen për atë që ka, por për atë që është.




