Vatra Chicago e filloi Vitin e Ri 2026 me një event festiv dhe të rëndësishëm në ambientin e Cafe Mirage në të cilin u ndanë dy bursa për dy studente të përzgjedhura të komunitetit shqiptar në Chicago me shumën $1000 për secilën prej tyre. Studentet në fjalë janë Samina Hoxha dhe Stela Bregu. Fondet u mundësuan nga Federata Pan Shqiptare Vatra në New York. Fjalën e hapjes në këtë event e mbajti Kryetarja e Vatra Chicago Zj. Mirela Kanini e cila midis të tjerave falenderoi të pranishmit si dhe mbështetësit e vazhdueshëm të kësaj organizate.
“Komuniteti i shqiptarëve në Chicago është një komunitet që gëzon një reputacion të shkëlqyer me njerëz punëtorë, të suksesshëm dhe të integruar në jetën amerikane por që di të mbajë dhe vlerësojë traditat e të parëve tanë. Të gjitha këto virtute ne i përcjellim tek fëmijët tanë ndaj dhe ata sot shkëlqejnë nëpër shkolla dhe kudo gjetkë duke na bërë të ndihemi krenarë për arritjet e tyre”- tha Zj. Mirela Kanini. Ajo theksoi që ky donacion i sotëm është vetëm fillimi dhe në të ardhmen do krijohen konkurse kompetitive për ti dhënë mundësinë të gjithë studentëve në Chicago dhe mbarë Illinois të marrin pjesë ku do të përzgjidhen pastaj sipas kritereve të vendosura.
Kjo do të realizohet me fuqizimin e Vatra Chicago dhe shtimin e anëtarësimeve çdo ditë e më shumë dhe me punën e palodhur të kryesisë. Studentet në fjalë dhanë falenderimet e tyre në sallë duke folur me një shqipe të përkryer edhe pse janë lindur dhe rritur në Usa. Zj. Kanini përgëzoi punën e shkëlqyer të anëtarëve të Kryesisë që ajo drejton dhe të cilët janë, Ardian Ruci( sekretar), Ernest Nasto( nënkryetar, Emanuela Cako( shefe kabineti), Artan Nati ( arkëtar), Dhimo Jano, Anjeza Muça.
Në vazhdim fjalën e mori arkëtari i Vatrës Z. Artan Nati i cili shpjegoi detajet e anëtarësimit që janë kundrejt një pagese $100 në vit ku përfshihet dhe Gazeta Dielli çdo muaj. Pastaj mbrëmja kaloi në aspektin argëtues nën tingujt e muzikës me këngëtarët e ftuar Brikena Asa, Juli Tollozhina dhe me DJ Albert Hide…/GDielli
(Vatra Chicago)




