Një test gjaku i thjeshtë, që merret nga gishti, mund të zbulojë sëmundjen e Alzhajmerit në faza të hershme. Në këtë përfundim ka dalë një studim i ri europian, sipas të cilit kjo analizë e thjeshtë mund të zbulojë shenjat e sëmundjes me saktësi të lartë, shumë përpara se simptomat të bëhen të rënda.
Metoda e re, e cila ende nuk është gati për përdorim klinik, bazohet në marrjen e disa pikave gjaku nga gishti, të cilat thahen në një kartë speciale dhe më pas analizohen në laborator. Në të ardhmen, kjo mundëson që mostrat të merren edhe në shtëpi, duke e bërë testimin më të aksesueshëm dhe më pak invaziv.
Studimi u udhëhoq nga instituti amerikan Banner dhe përfshiu 337 pacientë në shtatë qendra studimore në Evropë, përfshirë Danimarkën, Italinë, Spanjën, Suedinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Mes personave të marrë në studim ishin pacientë pa dëmtime njohëse, pacientë me demencë, si dhe persona me sindromën Down, të cilët kanë rrezik të lartë gjenetik për alzhajmer.
Rezultatet, të publikuara në revistën shkencore Nature Medicine, tregojnë se testi nga gishti identifikoi biomarkerët kryesorë të Alzhajmerit me një saktësi prej 86 % duke përputhur rezultatet e analizave tradicionale të gjakut dhe lëngut spinal.
Sëmundja Alzhajmer prek aktualisht rreth 7 milionë njerëz në Evropë dhe pritet që numri i rasteve të dyfishohet deri në vitin 2030, transmeton euronewsal.




