BallinaSportiBQK dhe Banka Botërore nisin hartimin e Strategjisë për Edukimin Financiar

BQK dhe Banka Botërore nisin hartimin e Strategjisë për Edukimin Financiar

-

PRISHTINË – Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur ekspertë të lartë të Bankës Botërore, me të cilët ka diskutuar për hartimin e Dokumentit Strategjik të Edukimit Financiar për Qëndrueshmëri Financiare.

Sipas BQK-së, dokumenti synon të krijojë një qasje të koordinuar dhe të fuqizojë iniciativat në fushën e edukimit dhe shëndetit financiar, në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të Bankës Qendrore.

Gjatë takimit, guvernatori Ismaili ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen dhe ekspertizën e ofruar, duke theksuar nevojën për një strategji gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Sipas tij, edukimi financiar nuk duhet të kufizohet vetëm në njohuritë bazë, por duhet të përfshijë edhe fuqizimin e qytetarëve dhe përdoruesve të shërbimeve financiare për të marrë vendime më të informuara dhe për të menaxhuar më mirë rreziqet financiare.

Në këtë kuadër, Ismaili ka vënë theks të veçantë edhe te ndërgjegjësimi për rreziqet e reja, përfshirë ato që lidhen me sigurinë kibernetike.

Fokus edhe në inovacionin dhe gjithëpërfshirjen financiare

Një tjetër aspekt i diskutimeve ishte bashkërendimi i strategjisë së re me nismat e ardhshme në fushën e infrastrukturës financiare, inovacionit dhe gjithëpërfshirjes financiare.

Sipas guvernatorit të BQK-së, këto fusha janë të rëndësishme për zgjerimin e qasjes në shërbimet financiare, fuqizimin e konsumatorëve dhe krijimin e një ekosistemi financiar më gjithëpërfshirës.

Procesi i hartimit të strategjisë do të udhëhiqet nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ndërsa në të pritet të përfshihen institucione publike, përfaqësues të sektorit financiar, institucione akademike, partnerë ndërkombëtarë dhe palë të tjera të interesit.

Mbështetje për qytetarët dhe bizneset

Një prej synimeve kryesore të strategjisë është që qytetarët dhe bizneset mikro e të vogla të kenë më shumë njohuri dhe mjete për marrjen e vendimeve financiare.

Përmes rritjes së edukimit financiar, BQK-ja synon të kontribuojë në përmirësimin e praktikave financiare dhe në rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre.

Strategjia synon gjithashtu forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe krijimin e kushteve për një sistem financiar më të qëndrueshëm, transparent, të besueshëm dhe më të qasshëm për të gjithë.

Bashkëpunimi me Bankën Botërore pritet të ofrojë ekspertizë ndërkombëtare në këtë proces, ndërsa konsultimet me institucionet dhe sektorët përkatës do të shërbejnë për përcaktimin e prioriteteve dhe masave konkrete të strategjisë, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh