Kanë filluar homazhet për ish-kryeparlamentarin, Nexhat Daci, të cilat po mbahen në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Në homazhe po marrin pjesë familjarë, përfaqësues institucionalë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë, të cilët po i bëjnë nderimet e fundit të ndjerit.
Sipas agjendës zyrtare të ceremonisë mortore, aktivitetet do të vazhdojnë me Akademinë Përkujtimore, e cila do të mbahet nga ora 12:00 deri në 12:45 në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, ceremonia e varrimit me nderime shtetërore do të zhvillohet nga ora 13:40 deri në 14:20, në Varrezat e Dragodanit.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe sot në Kuvendin e Kosovës për nder të ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, i cili vdiq të enjten në moshën 81-vjeçare.
Presidentja Osmani, së bashku me zotëriun e parë, Prindon Sadriu, kanë bërë homazhe pranë arkivolit të ish-kryetarit të Kuvendit.
Osmani ka shkruar edhe në librin e zisë, ku ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen Daci, miqtë dhe bashkëpunëtorët.
Në hollin e Kuvendit, në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shumtë të institucioneve, personalitete nga jeta politike e akademike, si dhe qytetarë që kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit akademik Nexhat Dacit. /BS




