POSTIMET E FUNDIT

Nisin takimet mes liderëve politikë për formimin e institucioneve

Udhëheqësit politikë kanë nisur sot takimet për konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Fillimisht, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po takohet me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në ambientet e Kuvendit.

Në orën 18:00 është paraparë takimi me udhëheqësin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Presim që takimi të jetë konstruktiv dhe t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së njëmbëdhjetë”, tha Kurti duke hyrë në ambientet e Kuvendit së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Hamza, ndërkaq, tha për gazetarët se shpreson që ky takim të jetë i suksesshëm, në mënyrë që shteti të ketë “institucione, stabilitet institucional dhe përparim”. Takimet mes udhëheqësve politikë vijnë dy ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, të cilat u mbajtën pasi muaj më parë, partitë dështuan të arrinin konsensus për presidentin e ri të vendit.

Kurti e ka ftuar në takim edhe kreun e Aleancës, Ardian Gjini, por ai e ka refuzuar ftesën, duke argumentuar se partia e tij veçse i ka paraqitur gjashtë kushte që do të duhej t’i plotësonte Kurti në këmbim të mbështetjes të krijimit të institucioneve.

Analisti politik, Ilir Deda, i ka vlerësuar si pozitive këto takime, por ka theksuar se është koha e fundit “që me një apo dy takime maksimum” udhëheqësit politikë “të japin përgjigje për krijim të institucioneve”.

Deda i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte shumë e dëmshme për vendin, duke shtuar se “Kurti, Hamza dhe Abdixhiku, e kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme që së bashku të merren vesh dhe t’i japin Kosovës një Qeveri funksionale, një president dhe një stabilitet politik në katër vjetët e ardhshëm”. Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.

Pas certifikimit të rezultateve, deputetët e legjislaturës së re kanë përpara detyrën e konstituimit të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Për dy të parat kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh. Partia e Kurtit i ka votat për dy proceset e para, pasi llogarit në votat e partive pakicë joserbe – që kanë dhjetë mandate.

Megjithatë, ende nuk ekziston një marrëveshje apo konsensus rreth emrit të presidentit./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB