Ambasada e Republikës së Kosovës në Uashington ka vlerësuar se nënshkrimi i Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), tashmë i nënshkruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili autorizon mbi 901 miliardë dollarë për shpenzime ushtarake vjetore dhe në të cilin është përfshirë edhe Kosova, riafirmon mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës.
Në njoftimin e Ambasadës thuhet se ky ligj nënvizon përkushtimin e SHBA-ve ndaj sovranitetit, sigurisë dhe rrugës euro-atlantike të Kosovës, si dhe mbështet dialogun Kosovë–Serbi të bazuar në njohje reciproke. Po ashtu, ligji kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale apo ndryshim të kufijve.
Ambasada e Kosovës në Uashington ka shprehur mirënjohje ndaj Kongresit amerikan, Shtëpisë së Bardhë, si dhe të gjithë atyre që janë angazhuar në përfshirjen dhe miratimin e dispozitave me rëndësi për Republikën e Kosovës, transmeton rtk.




