Presidentja Vjosa Osmani njoftoi nga Brukseli, pas përfundimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, se masat ndaj Kosovës do të fillojnë të hiqen. Një pjesë e masave u hoq menjëherë, ndërsa të tjerat pritet të hiqen plotësisht në fund të janarit.
Osmani e përshkroi vendimin si një lajm shumë pozitiv për Kosovën, duke theksuar se ai reflekton përparim në bashkëpunimin me Bashkimin Evropian.
Ajo shtoi se kjo hap rrugën për vazhdimin e reformave dhe forcimin e marrëdhënieve evropiane, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit të Kosovës për të përmbushur standardet e kërkuara.
“Kemi lajme të shkëlqyeshme për Kosovën. Në fund të Samitit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, pas diskutimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit”, tha ajo.
Gjatë kumtimit të lajmit, në video u shfaq edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili e përgëzoi presidenten Osmani për arritjen e këtij vendimi.
Osmani e falënderoi Ramën për kontributin e dhënë në këtë çështje.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”, ka thënë ajo, transmeton rtk.




