Ditën e hënë, më 15 dhjetor 2025, u bë mbledhja e Redaksisë së Fjalorit të madh të gjuhës shqipe (FMGjSh), për të diskutuar dhe për të miratuar përfundimin e punës për hartimin e tij, si projekt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (AShSh), i nisur në vitin 2021. Në mbledhje u vu në dukje se për kryesinë e redaksisë, për anëtarët e redaksisë (njëherazi, kryetarë të grupeve hartuese) dhe për hartuesit periudha e fundit ka qenë shumë e ngarkuar, me mobilizim maksimal të të gjithëve, duke punuar njëkohësisht në disa procese, një pjesë e të cilëve kushtëzonin njëri-tjetrin etj.
Gjatë viti 2024 e gjithë lënda e hartuar u redaktua nga redaktorët shkencorë, kurse gjatë vitit 2025 secila shkronjë u pasurua nga vjeljet e pandërprera, u bë plotësimi e saktësimi i shpjegimit të brendshëm të Fjalorit duke u shtuar mbi 5.000 fjalë që nuk ishin në lëndën e vitit të mëparshëm. U bë redaktimi i përgjithshëm modelues përfundimtar, u bë korrektimi dhe redaktimi gjuhësor, si dhe përfunduan dhe hartimi i Parathënies, i Hyrjes, i sythit “Mbi ndërtimin dhe përdorimin e Fjalorit”, i Listës së shkurtimeve, i Shkurtesave, i Shprehjeve të paasimiluara, i Tabelave gramatikore, i Fjalëve të huazuara të paasimiluara plotësisht nga ana grafemore, si dhe Burimet e lëndës së vjelë e Bibliografia.
Në fund të procesit hartues e redaktues, vëllimi i veprës arriti mbi 125.000 njësi (105.000 fjalë, 12.500 njësi frazeologjike, rreth 5.000 emërtime të pathjeshta të qëndrueshme, 1.600 shprehje të huaja të paasimiluara, 1.200 shkurtesa etj.) ose 10.400 faqe kompjuterike.
Në mbledhjen e redaksisë u vlerësua kujdesi i treguar në vijueshmëri që, me rritjen e vëllimit të Fjalorit (i projektuar me 90.000 fjalë e 10.000 njësi frazeologjike), të mos prekej cilësia e tij shkencore, duke synuar që kjo rritje në vëllim me lëndë të dobishme pasuruese leksikore, frazeologjike, semantike, sintagmatike etj. të ishte vlerë e shtuar edhe për cilësinë e veprës.
Hartimi i fjalori tashmë quhet përgjithësisht i kryer dhe projekti i mbyllur, duke mundësuar që vepra të hidhet në sistemin on-line në vitin 2026, njëherazi duke mundësuar që të vazhdojë puna pandërprershëm për të bërë rishikime përfundimtare, për ta homogjenizuar e për ta njësuar lëndën leksikografike në shkallën më të mirë të mundshme, duke e përgatitur Fjalorin hap pas hapi edhe për botim.
Pas diskutimeve, vërejtjeve e vlerësimeve, redaksia e miratoi njëzëri veprën, njofton Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, transmeton helveticALforum.ch




