Nga Arben Iliazi
Edhe Çamëria ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shpalljen e Pavarësisë. Më 28 Nëntor të motit 1912, Çamëria ishte pjesë e panteonit të nënshkrimit të aktit të madh të Pavarësisë edhe nga firmëtarët e saj, të paharruarit, Veli Gerra nga Gumenica, Jakup Veseli nga Margëlliçi, Rexhep Demi nga Filati dhe Aziz Tahir Ajdonati (Çami) nga Paramithia. Këta nënshkruan aktin solemn që përgatitën patriotët çamë.
Sa herë nis të shfletosh nga arkivat dokumente historike për ngjarjet më madhore që kanë shoqëruar ndër vite historinë e kombit tonë, aty do të shohim përherë e kudo, kontributin e patriotëve çamë, si: Hasan Tahsini që shpërndau abetaret e para shqipe, Muhamet Rushiti, Abedin Pash Dinua, Rasim Bej Dinua etj. të cilët i paraprinë Aktit të Shpalljes së Pavarësisë.
Kryerilindasi i shquar Hasan Tahsini (Hoxhë Tahsini) u përfshi në krijimin e alfabetit të përbashkët të shqipes. Ai ishte themelues i shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqipe në Stamboll, frymëzuesi kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, rektor i parë i Universitetit të Stambollit, mik i ngushtë i vëllezërve Frashëri, Jani Vretos, Ismail Qemalit dhe njëkohësisht mësuesi i tyre. Vetë Sami Frashëri do të shprehej: “Njerëz si Hoxhë Tahsini, një në njëmijë vjet i vijnë Shqipërisë”.
Ëndrrën për ta parë Shqipërinë të pavarur, nuk arriti ta përjetojë as Abedin Pashë Dino, kjo figurë e shquar, që dha kontributin e tij të madh, gjatë rrugëtimit për realizimin e saj. Por aktiviteti i tij njihet aq pak, sa edhe ne shqiptarët e sotëm, nuk mund t’ia përkujtojmë jo ditën, por as vitin e vdekjes. Na vjen çudi që është injoruar aktiviteti politik dhe atdhetar i Abedin Pashë Dinos dhe është vlerësuar vetëm si një patriot me përmasa lokale. Ai vendosi gurin e parë në jug të Shqipërisë në rilindjen e kombit shqiptar, që do të përfshinte gjithë shqiptarët myslimanë dhe të krishterë drejt qytetërimit europian.
Një tjetër figurë e rëndësishme e parapavarësisë ishte dhe Sabri Preveza, financuesi i gazetave që botoheshin jashtë vendit, në mbrojtje të interesave kombëtare si “Drita” e Sofjes, “Liria” e Selanikut etj. Kur u caktua mësues në gjimnazin turk të Prevezës, ishte ndër të parët që dha mësim në gjuhën shqipe. Me shpalljen e Pavarësisë u vendos në dispozicion të qeverisë së asaj kohe. Asaf Ajdonat (Çami) ishte, po ashtu, një veprimtar i shquar i arsimit shqiptar, nga Paramithia. Ngriti klubin e Paramithisë dhe Margëlliçit, së bashku me patriotin Spiro Çalluka. Organizoi qëndresën heroike në Shkallë të Paramithisë, kundër forcave pushtuese greke, më 1913. Pas pushtimit të Çamërisë nga Greqia, Asafi u vendos në Konispol, ku shërbeu si mjek në dobi të banorëve, pa pagesë. Ngriti shoqërinë “Vëllazëria Çame” ku u zgjodh kryetar i saj. Më 23 qershor 1921 i dërgon një letër sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, nga “Përfaqësuesit e Komiteteve të Bashkuara Shqiptare, Kryengritës të krahinave të veriut, të Shkodrës, Kosovës, Çamërisë dhe Janinës”. Kjo letër është në mbrojtje të interesave kombëtare, nga synimet grabitqare të fqinjëve.
Figura të rëndësishme të Rilindjes Shqiptare, që ndihmuan shpalljen e Pavarësisë ishin edhe Musa Demi, Mehmet Sejko etj, të cilët morën pjesë në kryengritjet e organizuara nga Çerçiz dhe Bajo Topulli. Ky grupim u quajt “Klubi i Filatit”, ku më vonë u lidh me Klubin e Manastirit dhe të Paramithisë, të kryesuar nga Rasim Dino.
Veprimtaria atdhetare dhe sakrificat supreme të shqiptarëve të Çamërisë, sollën një ndihmesë të vyer për Pavarësinë e Shqipërisë. Ndonëse përpjekjet e tyre në mbrojtje të trojeve shqiptare nuk u realizuan, si dhe ndodhi edhe për pjesë te tjera të tokave tona që çuan në copëtimin e Shqipërisë, lufta e tyre qe jo e vogël dhe sakrificat e gjaku i derdhur ndihmuan në këtë Shqipëri që kemi sot.
Duke qenë një popull i mirëfilltë evropian, që kanë kontribuar në qytetërimin e madh dhe polifonik të kontinentit shqiptarët kanë pësuar paradoksin më të habitshëm, të pangjashëm me asnjë pardoks tjetër në kontinent. Fill pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 kur Shqipëria bën një nga aktet e saj më të mëdha, duke u shkëputur përfundimisht nga struktura perandorake orientale dhe duke afirmuar statusin e saj evropian me dinjitet, te atdhetarët u ngjall një shpresë vigane: më në fund pas 5 shekujsh që në mënyrë të dhunshme dhe të padrejtë ky kombi u nënshtrua mekanizmit diabolik të shkombëtarizimit dhe sidomos të humbjes së statusit evropian, të tjetërsimit në një status bizantino-osman, erdhi casti i një prologu përfundimtar për lidhjen e natyrshme të Shqipërisë me bashkësinë e popujve të kontinentit, për të mos u shkëputur më. Por fitorja u denatyrua. Politikanët evropianë me emra heraldikë vendosën copëtimin dhe aneksimin e trojeve etnike shqiptare, duke e përgjysmuar gati hartën politike dhe duke mohuar brutalisht të drejtën natyrore të shqiptarë ve etnikë për t’u institucionalizuar në nocionin e tyre adekuat shtetëror. 1913 ishte një zgjidhje e egër, paternaliste e arbitrare, operacion i kirurgjisë politike të Fuqive të Mëdha, me pasoja traumatike në tërë historinë e mëpasëshme.
Konferenca së Londrës ndodhi në një moment kritik për kombin, pasi shqiptarët po luftonin për të shpëtuar nga zgjedha osmane. Çamëria dhe Kosova janë disfata më e madhe e kombit tonë, e cila mbart në vete një bilanc tragjik viktimash. Qeveria e Vlorës është e vetmja qeveri që, edhe pse ishte në kushtet më të vështira, kërkoi me ngulm mbrojtjen e çështjes çame.
Goditja që iu dha kombit shqiptar më 1913 në të vërtetë ishte e shumë fishtë. Ajo cënoi në mënyrë drastike dhe të pamëshirshme integritetin dhe qenien etnike, por edhe potencialin e tij intelektual. Shteti shqiptar i konceptuar në këtë optikë të mangët kishte jashtë kufijve politikë, të dekretuar nga të tjerë, troje autoktone shekullore dhe një popullsi të madhe, në Jug e në Veri. Çështja e Kosovës dhe Çështja Çame janë përdorur në nomenklaturën politike si koncepte që përfaqësojnë çështje të mprehta, që rrjedhin direkt nga nga zgjidhja e gabuar e shtetit shqiptar nga ana e Fuqive të Mëdha të Evropës. Tani në epokën e re çështja shqiptare duhet të marrë kuptimin e saj cilësor duke gjetur zgjidhje radikale përfundimtare, në bazë të dokumentave ndërkombëtare, Aktit të Helsinkit dhe Kartës së Parisit, me të cilat ecet drejt një Evrope të re dhe të bashkuar. Kosova është në rrugën e saj të konsolidimit dhe të integrimit, ndonëse me shumë pengesa e kërcënime, ndërsa Çamëria është në emergjencën më të rëndë, që shkon deri në mohim. Por duhet të ushqejmë shpresën se mendjet e sh ndosha dhe atdhetarët e vërtetë, në Shqipëri dhe në Diasporë, do të ngulmojnë në respektimin e interesave kombëtare të mirëfillta. /GD




