Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili po gjykohet në Hagë, ka kritikuar Dhomat e Specializuara që kanë caktuar seancën pikërisht më 28 nëntor. Ai në fjalën e tij të cilën e kishte kërkuar qysh në fillim, tha caktimi i seancës pikërisht në këtë datë për të dhe për çdo shqiptar është befasi jo e mirë.
“E mirëpres mbajtjen e kësaj seance, për këtë arsye edhe jam sot në këtë seancë, sepse jam i përcaktuar për respektimin ligjor, por i nderuari zotëri gjyqtar është me interes që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk lejohet të ndodhin në shtetet tuaja përkatëse. Si çdo popull edhe ne shqiptarët kemi historinë, traditat dhe vlerat kombëtare e shtetërore. Mendoj se caktimi i kësaj seance pikërisht sot me 28 nëntor do të duhej evituar. Mbajtja e kësaj seance pikërisht sot me 28 nëntor për mua dhe për çdo shqiptar është befasi jo e mirë”, deklaroi Thaçi.
Ai tha se sot çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore e familjare, sepse, siç tha, është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare.
“Sot çdo familje shqiptare dhe institucion i Kosovës edhe kujton edhe feston. Prandaj mua nuk më mbetet tjetër veç t’i uroj shqiptarët për festën e 28 nëntorit të festojnë të bashkuar, krenarë e me dinjitet. Besoj që nëntorët e tjerë do t’i festojmë bashkërisht”, tha Thaçi.
Por, gjyqtari Gosnell, tha se data ishte caktuar pas konsultimeve me të gjitha palët, e siç tha ai, nuk kishte asnjë kundërshtim.
“Faleminderit zotëri Thaçi për këto fjalë. Më duhet të them se këtë datë e caktuam pasi u konsultuam me të gjitha palët dhe asnjë kundërshtim nuk pati në këtë ditë”, deklaroi gjyqtari.
Thaçi kërkon fjalën në seancën e sotme, gjyqtari i tha se flet në fund
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar konferenca javore në çështje ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut,Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit kundër administrimit të drejtësisë.
Derisa palët aty diskutonin për mocionet dhe afatet për dorëzimin e provave gojore, Hashim Thaçi ngiti dorën duke kërkuar fjalën.
“Besoj që zotëri Thaçi ngriti dorën”, tha gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell.
“Është e vërtetë, ai më tha që donte të bënte një koment të shkurtër, nuk e di nëse do t’ia jepni fjalën tani. Nuk është e lidhur drejtpërdrejt me çështjen e kalendarit”, tha avokatja e tij, Sophie Menegon.
Por, gjyqtari Gosnell tha se Thaçit do i jepet mundësia që të bëjë ndërhyrje, por vetëm në fund të seancës së sotme.
“Ju sugjeroj që të vazhdojmë me agjendën dhe z. Thaçi do iu jepet mundësia që të bëjmë një ndërhyrje në fund të seancës së sotme”, tha gjyqtari.
Të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit në këtë seancë janë Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ndërsa Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj e Hajredin Kuçi janë të pranishëm përmes video-lidhjes, sikurse edhe disa nga avokatet, transmeton rtk.




