Teatri “Skampa” në Elbasan u mbush me muzikë dhe emocione në mbrëmjen artistike “E jona Shqipëria”, organizuar nga nxënësit e shkollës artistike “Onufri”.
Të rinjtë sollën për publikun një koncert vokalo–instrumental dhe një ekspozitë pikture, të përgatitura me pasion dhe përkushtim, duke vënë në qendër talentin dhe krijimtarinë e tyre.
Në aktivitet morën pjesë nënkryetarja e bashkisë Elbasan, Klaudja Krasnika, kryetarja e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, drejtoresha e ZVA Elbasan, Vesa Liço, si dhe deputetja Aulona Bylykbashi, të cilat vlerësuan punën e nxënësve dhe stafit pedagogjik të shkollës “Onufri”, si një shembull të mirë të edukimit përmes artit dhe promovimit të vlerave kombëtare.

Nën ngjyrat kuqezi, atmosfera në sallë u shndërrua në një festë të vërtetë arti dhe krenarie kombëtare.
Interpretimet muzikore dhe veprat e artit pamor sollën për publikun mesazhe atdhedashurie, duke reflektuar energjinë, ndjeshmërinë dhe vizionin e brezit të ri për Shqipërinë. Aktiviteti ishte pjesë e kalendarit të ngjarjeve që po organizohen në të gjitha shkollat e qytetit në kuadër të festave të Nëntorit, duke e kthyer këtë periudhë në një moment të rëndësishëm reflektimi, uniteti dhe frymëzimi.
Mbrëmja “E jona Shqipëria” rikujtoi se sa e bukur dhe e gjallë është Shqipëria kur shihet përmes syve dhe talenteve të të rinjve, të cilët me krijimtarinë e tyre i japin jetë simboleve dhe vlerave kombëtare, transmeton oranews.




