Vitet e ’90-ta – periudha më e rëndë për popullin shqiptar të Kosovës. Në atë kohë të vështirë, sportistët u detyruan t’i zhvillonin aktivitetet e tyre në fusha të improvizuara, pasi stadiumet dhe palestrat sportive ishin të uzurpuara nga okupatori serb.
Në këtë realitet të rëndë, prof. Ismet Jupa ka sjellë një vepër me rëndësi të madhe historike.
Me punë të palodhur dhe përkushtim të thellë, ai ka nxjerrë në dritë librin “Hendbolli gjatë viteve 1991–2000”, një botim me peshë që trajton periudhën më sfiduese të hendbollit tonë gjatë okupimit.

Ky libër dokumenton me shumë kujdes, profesionalizëm dhe pasion një dekadë të tërë rezistence sportive, duke e vendosur hendbollin në kontekstin e sakrificës, vullnetit dhe qëndresës së popullit të Kosovës.
Është një kontribut i çmuar për historinë e sportit dhe një dëshmi mbi rolin e sportistëve në ruajtjen e identitetit kombëtar gjatë viteve të shtypjes./K.Goca/BS




