Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Manastirin për nder të Ditës së Alfabetit Shqip, i shoqëruar nga kryeparlamentari Afrim Gashi dhe krerët e VLEN-it.
Për këtë ka shkruar Izet Mexhiti, kryetari i Komunës së Çairit. “Në këtë ditë të shënuar për shqiptarët, së bashku me gjithë liderët e VLEN-it, pritëm në drekë kryeministrin në detyrë, Kosovës, Albin Kurti. Biseduam drejtpërdrejt për zhvillimet politike, dhe për mënyrat konkrete se si bashkëpunimi mes dy vendeve tona mund të thellohet në fusha që prekin qytetarët çdo ditë”, ka shkruar Mexhiti.
Tutje ai ka thënë se “këtë takim e mbajtëm pak para manifestimit qendror në Manastir për Ditën e Alfabetit, një ditë që na rikujton vendimin historik të rilindasve tanë për të njësuar gjuhën dhe për t’i dhënë popullit tonë një mjet të përbashkët zhvillimi”.
“Këto dy momente u lidhën natyrshëm, një takim pune me fokus te politika dhe bashkëpunimi, i ndjekur nga një ngjarje që simbolizon identitet, qëndrueshmëri dhe drejtim të qartë kombëtar. Sot, ndërsa nderonim alfabetin shqip, u ndje edhe më shumë rëndësia e bashkërendimit mes nesh, në ide, në vizion dhe në veprim”, ka shkruar ndër të tjera ai, transmeton Bsot.




