Nga Dashnim HEBIBI
Sonte, teksa luhej ndeshja e futbollit mes Zvicrës dhe Kosovës në Prishtinë, mendja më shkoi te Fadil Vokrri – te shpirti i futbollit dardan. Në stadium binte shi, por zemra më qante nga gëzimi. Erdhi edhe sonte ajo ditë që dikur e prisnim me padurim: të shihnim futbollistë shqiptarë që shkëlqejnë edhe në fanellën e Zvicrës, ndër më të mirët, si shqiponja Granit Xhaka, që na ka bërë e na bën krenarë për jetë.
Me mendje përmenda edhe Shaqirin, Valon Behramin, Milaim Ramën, Blerim Xhemailin, Admir Mehmetin e shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë. Ne jemi mirënjohës për Zvicrën, një vend ku jetojnë mbi 400 mijë shqiptarë, një vend që është bërë atdheu ynë i dytë.
Sonte u ndje qartë: ishte një lojë mes miqve më të mirë.
Dhe prapë, në çdo emocion, rikthehet kujtimi yt, Fadil Vokrri – legjendë që të kujtojmë sonte e përjetësisht. Më kujtohen ditët kur vrapoje e luftoje që Kosova të kishte vendin që meriton në futbollin ndërkombëtar. Djemtë dardanë sot luajtën me shpirt, shkëlqejnë dhe janë dëshmi e asaj pune të palodhur që ti e udhëhoqe me zemër. Ata luanin me emocione padyshim, sepse luanin në tokën e Adem Jasharit, Fadil Vokrrit, Ibrahim Rugovës, Adem Demaçit e atdhetarëve të tjerë.

Foto e realizuar para 20 viteve
Ishte kohë e vështirë, por ti kurrë nuk u dorëzove. Fjalët e tua atëherë dëgjoheshin gjithandej edhe nga shkrimet e mia, por neve sot e gjeneratë pas gjenerate do t`na frymëzojshë. Sot jemi krenarë, e krenaria mban emrin tënd.
Shpirti yt dritë, Fadil Vokrri. Përjetë në kujtimet tona.
Rroftë miqësia e përjetshme, Shqiptari-Zvicër. / HelveticALforum.ch




