Veturat e postës sjellin makinat vetëdrejtuese në Lindjen e Zvicrës – Testimet nisin në dhjetor
Nga viti 2027, rajoni lindor i Zvicrës do të jetë një nga pionierët në përdorimin e mjeteve vetëdrejtuese për transport publik. Kompania Postauto, në bashkëpunim me disa kantone të Lindjes së Zvicrës dhe me mbështetje nga Konfederata, planifikon të vërë në qarkullim deri në 25 automjete të automatizuara nën projektin me emrin AmiGo.
Sipas një njoftimi për media nga Veturat e postës, testimet e para pritet të fillojnë që në dhjetor të vitit 2025. Këto prova fillestare do të kryhen pa pasagjerë në bord dhe do të shërbejnë për të testuar funksionalitetin e teknologjisë dhe përshtatjen me infrastrukturën lokale.
Partner në këtë projekt është kompania kineze Apollo Go, një degë e gjigantit të teknologjisë Baidu. Kjo teknologji pritet të sjellë një revolucion në mënyrën si qytetarët udhëtojnë, sidomos në zonat rurale dhe në kohë të ditës kur transporti tradicional është i kufizuar.
Mjetet e automatizuara do të kenë kapacitet për deri në katër pasagjerë dhe do të mund të porositen përmes një aplikacioni. Sistemi është projektuar në mënyrë të tillë që nëse disa udhëtarë kërkojnë rrugë të ngjashme në të njëjtën kohë, udhëtimet do të kombinohen – duke krijuar një formë moderne të udhëtimit me bashkëndarje (“ridesharing”) dhe duke rritur efikasitetin.
Ky projekt inovativ synon të përmirësojë ndjeshëm qasjen në transportin publik në zona që aktualisht nuk janë të mbuluara mirë nga rrjetet ekzistuese të linjave të autobusëve, transmeton 20min.ch e përcjell sam24.info. (Foto ilustrim) / SAM24.info
Përgaditi D.H
