Në disa fshatra malore të Zvicrës, dimri sjell jo vetëm të ftohtin, por edhe errësirën e plotë. Për shkak të relievit dhe pozitës gjeografike, dielli zhduket për javë apo edhe muaj të tërë, duke i lënë banorët në hijen e maleve që i rrethojnë.
Kur dielli “humbet” për muaj të tërë
Në shumë lugina të Alpeve zvicerane, veçanërisht ato me drejtim lindje–perëndim, dielli nuk arrin të ngrihet mbi shpatet e larta jugore gjatë muajve të dimrit. Kështu, edhe kur qielli është i kthjellët, rrezet e diellit nuk arrijnë kurrë deri në fshat.
Një nga shembujt më ekstremë është Vicosoprano, në rajonin e Bergellit (kantoni i Gryzonit), ku dielli nuk shihet nga mesi i nëntorit deri në fund të janarit. Situata është e ngjashme në Bosco Gurin (Ticino), ku banorët kalojnë rreth dy muaj e gjysmë pa asnjë rreze të drejtpërdrejtë dielli, transmeton 20min.ch. Por më e ashpër është gjendja në Bristen (Uri): këtu dielli zhduket që më 10 tetor dhe kthehet vetëm në fillim të marsit – më shumë se katër muaj e gjysmë në hije të plotë. Edhe në ditët më të bukura e pa re, fshati mbetet i mbyllur në errësirën e tij natyrore për shkak të luginës së thellë ku ndodhet.
Jo vetëm fshatra të vegjël
Fenomeni nuk prek vetëm vendbanimet e vogla alpine. Edhe pjesë të komunave më të mëdha si Glis (Valais), Hergiswil (Nidwalden) apo Cadenazzo (Ticino) mbeten për javë të tëra në hije. Megjithatë, banorët mund të gjejnë shpesh një “shteg drejt diellit” me një ecje të shkurtër në zona më të larta, ku rrezet arrijnë më lehtë.
Teknologjia që tregon sa diell merr shtëpia juaj
Platforma solartopo.com ofron një mënyrë interesante për të zbuluar sa diell arrin në një vendbanim të caktuar. Përmes një modeli dixhital të relievit, ajo llogarit saktësisht nëse – dhe kur – dielli mund të shihet nga një pikë e caktuar, pavarësisht nga oraret zyrtare të lindjes e perëndimit.
Kështu, çdo banor mund të kuptojë nëse dimri në fshatin e tij do të jetë thjesht i ftohtë – apo edhe i errët, transmeton 20min.ch, publikon sam24.info. (Foto ilustrim)
Përgaditi: D.H