Në Ditën Botërore të Turizmit, në Librazhd u zhvillua panairi i mjaltit dhe i prodhimeve bujqësore të zonës. I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla. Në fjalën e tij Balla theksoi rëndësinë që ka kjo zonë për prodhimin cilësor të mjaltit dhe zhvillimin e turizmit malor. “Librazhdi është një prej prodhuesve më të mëdhenj të mjaltit në Shqipëri, me shumë cilësi me shumë varietete, duke përfshirë këtu dhe varietete i themi të rralla për shkak të kullotës, siç është pjesa që lidhet me mjaltin e zonës së Gurakuqit, mjalti i gështenjës apo dhe plot shumëllojshmëri të tjera”, theksoi Balla.
Balla ftoi vizitorët të zbulojnë potencialin turistik të zonës. “Mesazhi sot në ditën e turizmit është për gjithë ata që ende nuk e dinë se çfarë ofron Librazhdi: janë të mirëpritur, Librazhdi ofron turizëm 12-mujor për shkak të hapësirës së madhe është një prej bashkive me sipërfaqen më të madhe që ka brenda vetes plot destinacione malore. Por ajo që është le të themi e veçanta e kësaj zone është mikpritja e banorëve dhe gatimet shumë shijshme”, tha Balla, transmeton kjone.