Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka konfirmuar se do të mbajë një votim online në nëntor, lidhur me kërkesat e disa vendeve për përjashtimin e transmetuesit izraelit Kan nga Eurovision 2026.
Në një letër dërguar transmetuesve pjesëmarrës të enjten, presidentja e EBU-së, Delphine Ernotte Cunci, shkroi se kishte një “diversitet të paparë pikëpamjesh” mbi pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision dhe se çështja kërkonte “një bazë më të gjerë demokratike”.
Unioni Evropian i Transmetimeve thotë se votimi është i nevojshëm pasi disa vende kërcënojnë me bojkot të mundshëm.
“Mund të konfirmojmë se bordi ekzekutiv i Unionit Evropian të Transmetimeve u është dërguar një letër drejtorëve të përgjithshëm të të gjithë anëtarëve tanë, duke i informuar ata se një votim për pjesëmarrjen në konkursin e këngës Eurovision 2026 do të zhvillohet në një takim të jashtëzakonshëm të asamblesë së përgjithshme të EBU-së që do të mbahet online në fillim të nëntorit”, tha EBU.
Vendimi vjen pasi disa transmetues evropianë, përfshirë ata nga Spanja, Holanda, Irlanda, Islanda dhe Sllovenia, kërcënuan të bojkotojnë edicionin e ardhshëm të ngjarjes më të madhe të muzikës live në botë nëse Izraelit do t’i lejohej të merrte pjesë.
Rusia u ndalua nga Eurovision pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Ndërkohë, Izraeli, i cili e ka fituar konkursin katër herë që nga debutimi i tij në vitin 1973, ka vazhduar të garojë për dy vitet e fundit pavarësisht mosmarrëveshjeve mbi pjesëmarrjen e tij.
Eurovisioni i vitit të ardhshëm, 70-vjetori i konkursit të këngëve, do të mbahet në kryeqytetin austriak, Vjenë, në maj, transmeton rtsh.