Prof. Dr. Veland Ramadani (Veland Ramadani) , Prorektor i UEJL-së, për të gjashtën herë në mesin e Top 2% të studiuesve më të cituar në botë
Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) vazhdon të dëshmojë pozitën e tij udhëheqëse në fushën e akademisë përmes arritjeve të profesorëve të tij. Prorektori për Planifikim, Hulumtim dhe Ndërmarrësi, Prof. Dr. Veland Ramadani, për të gjashtën herë me radhë është përfshirë në mesin e Top 2% të studiuesve më të cituar në botë, sipas vlerësimit prestigjioz të Stanford University në bashkëpunim me shtëpinë botuese shkencore Elsevier.

Ky vlerësim është një dëshmi e fuqishme e kontributit të UEJL-së në shkencën botërore dhe e përkushtimit të stafit të saj akademik për të ngritur standardet e kërkimit shkencor në nivel ndërkombëtar.
Prof. Dr. Ramadani, profesor i sipërmarrjes dhe biznesit familjar në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë të UEJL-së, është një nga studiuesit shqiptarë më të njohur në fushën e sipërmarrjes, bizneseve familjare, inovacionit dhe qëndrueshmërisë. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e literaturës shkencore me mijëra citime dhe punime të publikuara në revista prestigjioze ndërkombëtare.
Përveç këtij suksesi të radhës, këtë vit Prof. Dr. Veland Ramadani është përfshirë për herë të parë edhe në listën prestigjioze “List of Career”, e cila analizon punën dhe kontributin e shkencëtarëve nga viti 1788 deri në vitin 2024, duke evidentuar figurat më të rëndësishme në shkencën botërore ndër shekuj.
“Ky vlerësim më shtynë të punoj edhe më shumë në kërkime shkencore, të hulumtoj tema që janë pjesë e fushës time të studimit dhe të jap kontributin tim në përparimin e dijes dhe shkencës.”, theksoi Prof. Dr. Veland Ramadani, duke shprehur mirënjohje për kolegët dhe bashkëpunëtorët që kanë vlerësuar punën e tij.
Ky sukses i radhës konfirmon misionin e UEJL-së si universitet lider në rajon dhe dëshmon se akademikët shqiptarë, përmes përkushtimit dhe punës së tyre, po kontribuojnë denjësisht në shkencën botërore./UEJL