Sulmuesi Lamine Yamal mund të mos e fitojë këtë vit Topin e Artë, por trajneri i Barcelonës, Hansi Flick është i bindur se e ardhmja i takon talentit 18-vjeçar.
Yamal ka qenë një nga yjet më të ndritshëm të Barcelonës gjatë dy sezoneve të fundit. Ai ka shënuar 20 gola dhe ka dhuruar 23 asistime që nga fillimi i sezonit të kaluar, duke ndihmuar katalanasit të fitojnë tripletën spanjolle në 2024-25. Po ashtu, me 262 driblime të suksesshme, ai kryeson listën e lojtarëve në pesë ligat më të forta të Europës.
Edhe pse ka munguar në dy ndeshjet e fundit për shkak dëmtimi, Yamal ka arritur tashmë dy gola dhe tre asistime këtë sezon në La Liga, ndërsa Barça është vetëm dy pikë larg Real Madridit pas katër xhirove.
Flick është shumë i sigurt se Yamal do ta fitojë Topin e Artë edhe nëse jo këtë vit.
“Nuk e di nëse do ta fitojë këtë vit Topin e Artë. Një ditë, padyshim, Lamine do ta ngrejë këtë trofe. Kushdo që e fiton këtë vit, e meriton. Për mua, edhe vetë nominimi është çështje respekti”.