Shtator, 2025 – Jo pse nuk deshtëm ta takojmë, por sepse Nazmi Hajredini ka konak, dhe në atë konak ka rregulla të pathyeshme. Nëse hyn aty, nuk hyn vetëm në një shtëpi, por në një shtëpi historie, në një vatër atdhetarie. Mikpritja e tij nuk është e zakonshme: është mikpritja që e kanë trashëguar burrat e kombit, aty ku miku nuk është i rastësishëm, por bëhet pjesë e nderit, pjesë e besës dhe e idealit. Koha ishte për ne e kufizuar…
Nëse ke kaluar pragun e tij si mik, atëherë je i kujtuar. Ai për mikun jep edhe jetën, sepse e ka kuptuar se miku i idealit është pasuria më e madhe e një kombi. Edhe nëse vetëm i ke kaluar pranë derës, pa hyrë brenda, ndjen një barrë, një dhimbje të heshtur, sepse aty është historia vetë që të fton të hysh, të mësosh, të marrësh frymëzim. Në shtëpinë e tij nuk shërbehet vetëm kafeja, por tregohet amaneti i dëshmorëve, kujtimi i heronjve dhe dashuria për Atdheun.

Nazmi Hajredini është burrë që në kohët më të vështira ngriti zërin dhe shkriu gjithçka për kombin: shëndetin, pasurinë, qetësinë. Ai është i njohur jo vetëm në Luginë, por kudo ku rreh zemra shqiptare. Uniforma e çlirimtarit është e gdhendur në shpirtin e tij dhe pasaporta e jetës së tij ka vetëm një fjalë: bashkimi i trojeve shqiptare.
Ai vjen nga një familje atdhetarësh, dhe plisin e ka në shpirt, pranë zemrës. Si kryetar nderi i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Preshevë, ka punuar e punon për amanetin e dëshmorëve. Ai nuk ka shokë për kafe, por shokë të idealit. Kudo që shkon, mirëpritet si burrë me peshë historike. Edhe pse vuajti burgjet serbe dhe sot është i lodhur nga shëndeti, nuk mungon në asnjë takim, sepse zëri i Luginës së Preshevës duhet të dëgjohet gjithmonë.
Janë përpjekur t’ ia ulin figurën e tij, veçanërisht pseudo-patriotët që rrahin gjoks pa vepra, por historia nuk fal: veprat e tij janë më të fuqishme se fjalët e tyre. Ai është personalitet i paqes, i përkushtuar për pajtim e mirëkuptim, por kur është fjala për flamurin e për nderin kombëtar, ai nuk fal.
Për Nazmi Hajredinin është shkruar, por duhet shkruar edhe më shumë, sepse madhështia e tij është faqe historie. Në Milano e përmendëm pranë stërnipit të Ismail Qemalit, e thuajse kudo që është hapur tema e atdheut, emri i tij ka qenë i pranishëm.

Këtu në këto shkronja më del para syve miku im, veprimtari besnik nga Kërçova, Florim Useini. Ai është nga një familje atdhetaresh dhe gjithmonë ka qëndruar krah meje edhe në këto udhëtime shpirtërore e kombëtare.
Florimi më tha: “Kemi gabuar që nuk kemi shkuar ta vizitojmë axhën Nazmi.” E kishte shumë të drejtë, sepse gjatë gjithë reportazheve që kemi shkruar e përjetuar, gjithmonë më ka mbetur peng kjo mungesë.
E di se axha Nazmi i ka lexuar ato shkrime, edhe pse unë nuk i kam mbyllur ende reportazhet tona. Por tani, kur ai ta lexojë këtë përshkrim të shkruar me zemër, e di se do të më kuptojë dhe do të më thotë: “Dashnim, më ke kuptuar zemrën edhe në heshtje.” Sepse zemra e një atdhetari është më e fortë se fjala, dhe dëshira e tij është gjithmonë për të mirën e kombit.
Axha Nazmi, do të shihemi së shpejti.
Nëse kam marrë një minus tek ti, më fal. Me Florim Useinin kemi vendosur të vijmë, të ulemi me ty, të të përqafojmë e të çmallemi. Do të rrëfejmë, do të kujtojmë e do të vazhdojmë rrugën tonë drejt rrënjëve, ashtu siç na e mësove ti dhe amaneti i atdhetarëve.
Ti je emblemë e atdhetarisë, je histori e gjallë, je shembull frymëzimi për brezat. Edhe pse vitet të rëndojnë shëndetin, veprat e tua janë të lehta si drita, sepse ato i japin shpresë një kombi të tërë.
Axha Nazmi, të kam në shpirt.
Mirupafshim dhe të fala përmes këtyre rreshtave, nga unë dhe miku im i dashur Florim Useini. Lutemi të jesh mirë, sepse na duhet shembulli yt, na duhet fjala jote, na duhet historia jote.
Edhe pse takimi fizik me axhën Nazmi Hajredinin nuk ndodhi kësaj here, ai takim është gjithmonë i pranishëm në shpirtin tonë. Sepse burrat e mëdhenj nuk i takon vetëm me dorë, por i takon me zemër, me mendim, me kujtim. Nazmi Hajredini është një nga ata personalitete që nuk jeton vetëm në shtëpinë e tij, por në çdo zemër shqiptari që e do kombin.
Ai është histori e gjallë, është pasqyrë e sakrificës, është amanet i shenjtë i lirisë. Ne mund të mos jemi ulur pranë tij në odën e mikpritjes, por kemi biseduar me të në heshtjen tonë, në idealin tonë, në rrugën tonë kombëtare.
Sepse nuk është gjithmonë e rëndësishme pranija fizike: ajo që ka vlerë është lidhja shpirtërore, e cila nuk shuhet kurrë. Dhe kjo lidhje është më e fortë se çdo takim.
Nazmi Hajredini – Emblemë e Atdhetarisë
Në pragun e shtëpisë së tij
nuk hyn veç si mysafir,
por si dëshmitar i historisë,
si bartës i një amaneti që nuk shuhet.
Fjala e tij nuk është thjesht fjalë,
është besë e gdhendur në gur,
është gjaku i dëshmorëve që flet,
është zëri i lirisë që thërret.
Trimeria e tij nuk matet me shpata,
por me qëndresën e shpirtit,
me plagët që i ktheu në dritë,
me burgun që e bëri më të lirë,
me sakrificën që e ktheu në flamur.
Veprat e tij janë flamuj të ngritur,
janë këngë të pashkruara të kombit,
janë rrugë që çojnë drejt bashkimit,
janë gurë të rëndë në themelet e atdheut.
Nazmi Hajredini –
burri i konakut të nderit,
mik i idealit, jo i kafesë,
histori që ecën mbi këmbë,
emblemë që s’fshihet nga koha.
Në konakun e tij hyn vetëm nderi,
vetëm besa, vetëm shqiptaria.
Dhe aty ku shkel ai,
rri pranë Skënderbeu,
Çerçiz Topulli,
Azem Bejta,
Adem Jashari,
Agim Ramadani,
dhe gjithë dëshmorët e kombit.
Ai nuk jeton për vete,
por për Atdheun,
nuk e njeh frikën,
nuk e pranon tradhtinë.
Nazmi Hajredini –
zemër çlirimtari,
shpirt që nuk thyhet,
flamur që s’bie kurrë,
emër që mbetet në përjetësi.
Dashnim Hebibi, Preshevë
Florim Useini, Kërçovë