Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, ka nisur paraditen e sotme dëshminë e tij përpara Dhomave të Specializuara në Hagë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Rubin është thirrur si dëshmitar nga mbrojtja dhe pritet të japë dëshmi për një periudhë prej dy deri në tre ditësh.
Gjatë viteve ’90, Rubin ka mbajtur detyrën e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Publike dhe ka shërbyer si zëdhënës i sekretarëve të Shtetit, përfshirë Madeleine Albright, me të cilën ka pasur bashkëpunim të ngushtë. Në kulmin e krizës në Kosovë, në vitin 1999, ai ka pasur një rol të rëndësishëm si negociator për çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aktualisht, James Rubin është Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, transmeton euronewsal.