Nga: Dashnim HEBIBI
Kuvendi pa zgjidhje dhe pa kërkimfalje ndaj qytetarëve
Zürich, 21 gusht 2025 – Edhe pse me vonesë, Kuvendi i Kosovës e nisi punën, edhe këtë herë pa asnjë kërkimfalje para deputetëve dhe qytetarëve. Ngërçi politik ende nuk po gjen zgjidhje dhe sipas shumë qytetarëve, fitues nuk ka – ndërsa humbës është populli.
Zhgënjimi i mërgatës
Debate, analiza, intervista e prononcime po mbushin hapësirën publike, por mërgata shqiptare shpreh hapur zhgënjimin e saj. Edhe pse larg atdheut, bashkatdhetarët tregojnë se çdo ditë flasin për situatën në Kosovë dhe ndihen të lodhur nga krizat e pafundme.
“Është trishtuese. Gjatë gjithë pushimit sa isha në Kosovë, në çdo vend që shkova, tema e vetme ishte politika. Edhe bujku, edhe mjeku, edhe inxhinieri, edhe zjarrfikësi – të gjithë flasin vetëm për politikë. Në fund, po humbim të gjithë,” – tha Rafeti nga Dardana.
Kujtesë për sakrificat e së kaluarës
Mërgata thekson se Kosova nuk duhet ta humbasë unitetin dhe se nuk duhet harruar sakrifica e bërë për liri e pavarësi. Ata kërkojnë nga klasa politike të lërë inatet anash dhe të ulet për të gjetur një zgjidhje për të mirën e përbashkët.
“Kosova është tokë e larë me gjakun e dëshmorëve. Është e papranueshme ajo që po shohim sot,” – u shprehën disa bashkatdhetarë nga kantoni i Cyrihut.
Vota e mërgatës në pikëpyetje
Në pyetjen se a do të votonin në rast të zgjedhjeve të reja, katër bashkatdhetarë me të cilët biseduam në Cyrih u shprehën njëzëri:
“Nuk vjen në shprehje.”
E ardhmja, një enigmë që pret zgjidhje
Situata politike në Kosovë vazhdon të mbetet e tensionuar. Mërgata shprehet se frika më e madhe është humbja e përbashkët, nëse nuk gjendet shpejt një rrugëdalje. Për momentin, pyetja se kush do ta zgjidhë nyjen e krizës mbetet ende një enigmë pa përgjigje. /SAM24.info