Gjatë vizitës së tij njëditore në Maqedoninë e Veriut, Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi një takim me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e shqiptarëve në jetën politike të vendit fqinj dhe ndau vlerësimin e tij për kontributin e Ahmetit në këtë proces.
“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh e të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike,” shkroi Presidenti Begaj.
Takimi me kreun e BDI-së u zhvillua gjatë një vizite pune të Presidentit shqiptar në Ohër, ku një ditë më parë ai u prit nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, transmeton rtsh.