Nga: Dashnim HEBIBI
Bülach, 09 korrik 2025 – Në një botë ku shpesh zhurma e interesit personal mbulon zërin e veprave të mira, ka njerëz që heshtur bëjnë dallimin. Një prej tyre është Agim Pepaj, kryetar i Shoqatës shqiptare “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” me qendër në Bülach të Zvicrës, kantoni i Cyrihut. Përplot 15 vite, ai dhuron gjak në mënyrë të rregullt, shpeshherë edhe dy herë në vit, duke e kthyer këtë akt në një pjesë natyrale të jetës së tij dhe një mesazh të fuqishëm për gjithë komunitetin shqiptar në diasporë: Solidariteti shpëton jetë.
“Çdo herë që dhuroj gjak, e ndjej veten më mirë – jo vetëm fizikisht, por shpirtërisht. E di që diku, një jetë ka nevojë për ndihmën time. Kjo është më shumë se një gjest. Është detyrim njerëzor,” – thotë Z. Pepaj për sam24.info. Në një kohë kur shumë individë presin duartrokitje për gjeste të vogla, ai nuk ka dashur asnjëherë të flasë për këtë veprim të tij – derisa e kuptoi se ndoshta shembulli personal mund të frymëzojë të tjerë. “Nuk e bëj për lavdi. E bëj sepse ndjehem mirë kur jap një pjesë të vetes për dikë tjetër që ndoshta as nuk e njoh. Deri sa të jem mirë me shëndet, do të vazhdoj të jap gjak,” u shpreh ai me përulësi.

Shoqata që ai udhëheq, me emrin e heroit tonë kombëtar, është shndërruar jo vetëm në një vatër të ruajtjes së identitetit dhe kulturës shqiptare në Zvicër, por edhe në një pikë takimi për vepra humanitare dhe angazhim shoqëror. Dhurimi i gjakut është vetëm njëra nga iniciativat e shumta ku Z. Pepaj është aktiv, duke përçuar mesazhin se të jesh shqiptar do të thotë të jesh gjithmonë në anën e jetës, të ndihmës, të vlerave.
“Zvicra është bërë atdheu ynë i dytë. Këtu kemi rritur fëmijët, kemi nipat e mbesat. Nuk e ndjejmë më si gurbet. Jemi pjesë e këtij vendi dhe duhet të kontribuojmë për të mirën e përbashkët. Kështu siç po bëjmë prej dekadash tashmë,” shton ai.

Z. Pepaj nuk është i vetëm. Në të gjithë Zvicrën, shumë bashkëkombës shqiptarë kontribuojnë rregullisht në dhurimin e gjakut dhe në nisma të tjera humanitare. Ata janë dëshmi se komuniteti shqiptar nuk është vetëm një pjesë numerike e diasporës – por një zemër rrahëse solidariteti, që bashkëjeton, kontribuon dhe ndihmon aty ku është më e nevojshme.
Përtej fjalëve, janë veprat që mbeten. Dhe vepra e Agim Pepajt, e përsëritur me vite e vite, hiq më pak se 15 vjet është një apel i heshtur por i fuqishëm për të gjithë ne: Jepni gjak, jepni jetë.