Përgaditi: Dashnim HEBIBI
Një tjetër arritje e çmuar për shtetin e Kosovës dhe për bashkësinë shqiptare vjen nga Kroacia, një vend mik dhe partner strategjik i yni. Nënkolonel Shpend Zogaj, atashe ushtarak në Ambasadën e Kosovës në Zagreb, është diplomuar me sukses nga Shkolla e Luftës “Ban Josip Jelačić”, pjesë e Akademisë së Mbrojtjes “dr. Franjo Tuđman” në Republikën e Kroacisë.
Ky është një moment krenarie për shtetin e Kosovës dhe për përfaqësuesin tonë, i cili jo vetëm që ngrit imazhin e Ushtrisë sonë, por edhe përforcon lidhjet e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Në ceremoninë solemne të mbajtur më 27 qershor, u promovuan 126 pjesëmarrës të suksesshëm në programet e avancuara ushtarake. Prej tyre, 106 ishin nga Forcat e Armatosura të Kroacisë dhe të tjerët nga institucione të ndryshme shtetërore si Ministria e Brendshme, Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Kuvendi Kroat. Gjithashtu, pjesë e këtij brezi ishin edhe 16 përfaqësues nga vendet partnere: Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia.

Me këtë rast, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Shkëlqesia e Tij Prof. Dr. Martin Berishaj, ndau këtë gëzim me të gjithë bashkëkombësit tanë anembanë botës, duke deklaruar:
“Është kënaqësi dhe krenari e madhe për mua, si ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, të ndaj këtë sukses të veçantë me të gjithë bashkëkombësit tanë kudo që ndodhen. Diplomimi i Nënkolonel Shpend Zogajt në një nga institucionet më prestigjioze ushtarake të Kroacisë – Shkolla e Luftës ‘Ban Josip Jelačić’ – është një dëshmi e përkushtimit, profesionalizmit dhe përfaqësimit të denjë të Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ky sukses është edhe një simbol i miqësisë së fortë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, si dhe i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona ushtarake. Edukimi ushtarak i këtij niveli nuk është vetëm përgatitje për detyra të reja dhe më të larta, por është një shtyllë e rëndësishme në ndërtimin e ushtrive moderne dhe në rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse.
Urime të përzemërta Nënkolonel Zogajt për këtë arritje të merituar, dhe një falënderim i veçantë për autoritetet kroate për mbështetjen dhe mikpritjen që i ofrojnë zyrtarëve tanë. Ky është një sukses i Kosovës.”
Kjo diplomë është një dëshmi konkrete se përfaqësuesit tanë ushtarakë jo vetëm që janë të pranishëm në arenën ndërkombëtare, por edhe dallohen për profesionalizëm dhe nivel të lartë përgatitjeje.
SAM24.info