/ Nga: Dashnim HEBIBI /
Cyrih, 27 maj 2025 – Shefi i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z.Vigan Berisha, zhvilloi një takim të rëndësishëm me z. Daniel Wäfler, deputet në Parlamentin Kantonal të Cyrihut dhe njëherësh Kryetar i Komisionit për Drejtësi dhe Siguri Publike.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, me theks të veçantë në marrëdhëniet me institucionet kantonale të Cyrihut. U theksua rëndësia e vazhdimit dhe forcimit të këtyre lidhjeve në fusha të ndryshme, përfshirë drejtësinë, sigurinë dhe përfshirjen aktive të diasporës shqiptare në jetën shoqërore dhe institucionale të kantonit.
Shefi i misionit z.Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që shteti zviceran, dhe veçanërisht autoritetet e Cyrihut, i kanë dhënë Kosovës dhe komunitetit shqiptar në Zvicër. Ndërkohë, z. Wäfler vlerësoi kontributin pozitiv të shtetasëve kosovar dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në interes të ndërsjellë.
Takimi konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe hapjen e mundësive të reja bashkëpunimi në të ardhmen.
SAM24.info