
/ Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich /
Biletat e aeroplanit për të shkuar në atdhe shpesh janë temë diskutimi dhe brengë për mërgatën tonë. Në të shumtën e rasteve, ose më mirë të themi në përgjithësi, mërgimtarët kanë kritika për çmime stratosferike. Kësaj radhe, nuk dua t’i mbroj ata që merren me sigurimin e kompanive apo shitjen e biletave për në Kosovë apo në Maqedoni, por më duhet të shkruaj të vërtetën.
Gjatë kohës që po shkruaj këtë shkrim, duke u bazuar në fakte, po shoh që bileta për të udhëtuar nesër më 4 maj nga Cyrihu për në Prishtinë kushton vetëm 41.00 franga – një drejtim ose 69.00 me Swiss.
Pse nuk po ngrihet zëri real për të thënë troç: ky çmim është tepër i lirë, madje thuajse falas?

Ja që shpesh biletat janë “për tokë”, siç thotë populli, por vetëm kur janë të ngritura ngrihen edhe zërat. Ka, normalisht, edhe mendime të tjera nga ata që do ta lexojnë këtë shkrim – “tash nuk është sezoni”, e mirë, shumë mirë – por dikush po e paguan kompaninë. Jo vetëm për në atdheun tonë janë çmimet e ngritura në sezon, por edhe në gjithë botën. Ata që u duken të larta, kanë zgjidhje – autobusi apo vetura.

Megjithatë, duhet t’i kuptojmë kompanitë ajrore, ata që i paguajnë aeroplanët, sepse janë në humbje të padiskutueshme. Duhet t’u jemi mirënjohës që na e afrojnë atdheun kaq shumë. Prishtina është bërë destinacion, sikur të shkosh nga Peja në Prishtinë – çdo ditë aeroplanë, dhe jo një, por shumë.
Duhet të punojmë që të kemi një kompani shtetërore, dhe të vendosen çmime standarde – që të mos humbasë as kompania, por edhe ne si mërgatë të jemi të kënaqur. Sezon apo jo, çmimi të jetë i qëndrueshëm. Edhe atëherë, pa dyshim, do të dalin fjalë.
Nderime dhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë punuar me aviokompani, sepse kanë bërë shumë, dhe atë vërtet shumë, për mërgatën tonë. Por për tema të tjera do të ndalemi në një të ardhme.
SAM24.info