Fakulteti i Shkencave Shëndetësore në Universitetin e Evropës Juglindore hapi sot dyert për maturantët e shkollave të mesme me profile mjekësore nga Tetova, Gostivari, Struga dhe Kërçova, në kuadër të Ditës së Hapur, e cila u organizua me qëllim të promovimit të mundësive arsimore dhe përvojës praktike që ofron ky Fakultet.
Vizitorët – maturantë të interesuar për studime në fushën e mjekësisë dhe shkencave shëndetësore – patën mundësinë të njihen nga afër me hapësirat moderne të Fakultetit, përfshirë laboratorët bashkëkohorë, qendrën simuluese për trajnim praktik, si dhe me programet studimore që ofron Fakulteti.
Të rinjtë u mirëpritën nga Dekania e Fakultetit, Prof. Dr. Danijela Vojtikiv Samoilovska, së bashku me stafin akademik dhe studentët e programit, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe ofruan informacione të detajuara rreth përfitimeve të studimeve në këtë Fakultet.
Atmosfera ishte dinamike dhe interaktive, me pyetje nga nxënësit, demonstrime të pajisjeve mjekësore dhe prezantime të shkurtëra nga studentët për jetën akademike në UEJL./UEJL