(E plotësuar, ora 14:30) Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, nga Prishtina ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet t’i heq masat kufizuese ndaj Kosovës.
Ai, në konferencën e përbashkët me Osmanin, tha se në takim është biseduar për heqjen masave kufizuese që janë vënë nga BE. Më tej ai shtoi se mbështet normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, si dhe vazhdimin e dialogut si një mënyrë e mirë për ta përmirësuar stabilitetin në rajon.
I pyetur për statusin kandidat të Kosovës në BE, i pari i Letonisë tha se nuk mund të përgjigjet në emër të të gjitha shteteve të BE-së, teksa shtoi se ka nevojë për reforma dhe për mbështetje në rajon nga ana e BE-së.
Osmani: Letonia është partnere e fuqishme e Kosovës
(E plotësuar, ora 14:20) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Letonia është partnere e fuqishme e Kosovës
“Vizita e juaj sot në Prishtinë, pas një takimi që patëm në Mynhen është një dëshmi e marrëdhënieve të ngushta e, tashmë, të shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Letonisë, të cilat janë ndërtuar mbi vlertat e përbashkëta demokratike dhe me një përkushtim të përbashkët për paqen dhe sigurinë rajonale dhe atë globale”, tha Osmani në konferencë të përbashkët për media me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.
Sipas saj, Letonia është partnere e fuqishme e Kosovës. “Ju keni përkrahur jo vetëm procesin tonë të shtetndërtimit, por edhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha Osmani.
Lidhur me takimin me përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog Kosovë Serbi, Peter Soensen, presidentja Osmani tha se atij i kemi dhënë detajet tona sa i përket draft-statutit të propozuar nga BE. Ajo tha se ky ishte një takim ku Sorensen u njoftua më shumë rreth qëndrimeve tona, sesa që morëm qëndrime nga ana e tij, që është krejtësisht normale, sepse është në fillim të mandatit.
Presidentja e vendit tha se këto diskutime do të vazhdojnë edhe më tej, sepse shumë çështje janë diskutime në nivel ekspertësh.
“Po flasim për çështjet e draft-statutit evropian që personalisht mendoj se nuk janë në përputhje më Kushtetutën e Kosovës, nuk janë në përputhje as me vlerat dhe normat e BE-së dhe të standardit të KE-së, si dhe nuk janë në përputhje me vendime e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, tha Osmani.
Osmani pret në takim homologun letonez
(E plotësuar, ora 13:10) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.
Homologu letonez është pritur me ceremoni shtetërore. Ndërkaq, pas takimit Presidentja Osmani dhe Presidenti Rinkēvičs do të mbajnë konferencë për media.
Presidenti i Letonisë sot në Kosovë, Osmani e pret në takim ( ora, 06:32 )
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, sot do të vizitojë Kosovën. Atë do ta presë në takim presidentja Vjosa Osmani.
Takimi do të nisë në ora 13:00, ndërsa më pas do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
“Në orën 13:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs. Mediat do të mund të marrin pamje nga pritja dhe fillimi i takimit. Ndërkaq, pas takimit Presidentja Osmani dhe Presidenti Rinkēvičs do të mbajnë konferencë për media. Vendi: Kabineti i Presidentes. Mediat duhet të jenë prezente në Presidencë, në ora 12:30″, njofton presidenca./RTK




