Pasagjerët në trenat InterCity befasohen: kontrollorët e SBB-së mund të duken si udhëtarë të zakonshëm
BERN – Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) kanë ndryshuar praktikën e kontrolleve të biletave. Që nga ndryshimi i fundit i orarit, kontrolle të biletave në trenat e distancave të gjata po kryhen edhe nga punonjës të veshur me rroba civile, transmeton 20min.ch. Sipas SBB-së, kontrollet kryhen në mënyrë të rastësishme nga ekipe prej katër personash, të cilët në pamje të parë duken si udhëtarë të zakonshëm. Ata mbajnë me vete një dokument identifikimi zyrtar me fotografi, përmes të cilit mund të dëshmojnë se janë kontrollorë të SBB-së. Rasti më i fundit u raportua në trenin IC 5 nga St. Gallen drejt Zürichut, ku disa pasagjerë u befasuan kur persona të veshur me rroba verore filluan të kontrollonin biletat. Një pasagjere tha se kontrollorët «dukeshin si çdo person tjetër në tren», por të gjithë kishin çanta të mëdha shpine. Vetëm pasi treguan dokumentet zyrtare u bë e qartë se ishin punonjës të SBB-së.

SBB synon të luftojë udhëtimet pa bileta
Sipas zëdhënësit të SBB-së, Reto Schärli, transporti publik në Zvicër humbet rreth 200 milionë franga në vit për shkak të udhëtimeve pa biletë të vlefshme. Për këtë arsye, SBB ka vendosur të zgjerojë kontrollet edhe në trafikun hekurudhor të distancave të gjata. Kontrollet nga punonjësit në civil nuk do të zhvillohen në çdo udhëtim, por në mënyrë të përzgjedhur dhe sipas situatës.
Pasagjerët që dyshojnë mund të kërkojnë identifikim
SBB thotë se kontrollorët në civil duhet të jenë të dallueshëm përmes dokumentit të kontrollit, i cili mbahet në mënyrë të dukshme. Megjithatë, ndryshimi mund të krijojë konfuzion te pasagjerët, veçanërisht për shkak të rasteve të mashtrimeve nga persona që paraqiten në mënyrë të rreme si autoritete ose punonjës të transportit publik. SBB këshillon udhëtarët që, nëse kanë dyshime, të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë të shohin dokumentin e identifikimit të kontrollorit. Pra, udhëtarët në trenat InterCity duhet të jenë të përgatitur: kontrollori i radhës mund të mos ketë uniformë dhe të duket si një pasagjer i zakonshëm, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.
Foto D.Hebibi










