Zürich – Mërgata shqiptare në Zvicër do të ketë një mbrëmje të veçantë kulturore dhe historike me promovimin e veprave të autorit dhe ish-bashkëpunëtorit të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Adnan Merovci. Aktiviteti organizohet nga Nëndega e LDK-së në Bremgarten/Wohlen dhe do të mbahet më 30 maj 2026, në ambientet e “Academic Gateway AG” në Zürich. Në qendër të këtij organizimi do të jenë promovimi i librave “Në Hap me Rugovën”, “Kështjella e (Mos)Marrëveshjes”, “Pengu”, si dhe kompleti prej pesë librave “Të Premtet”, vepra që trajtojnë periudha të rëndësishme politike dhe historike të Kosovës.

Në kuadër të mbrëmjes do të shfaqet edhe dokumentari “Kosova 1989–1999”, i cili sjell kujtime, dëshmi dhe zhvillime nga një prej periudhave më të vështira të historisë moderne të Kosovës. Pas shfaqjes së dokumentarit do të zhvillohet një bashkëbisedim me autorin Adnan Merovci, i cili për vite të tëra ka qenë bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Ibrahim Rugova.
Organizatorët theksojnë se ky aktivitet synon të ruajë kujtesën historike dhe të afrojë gjeneratat e reja me rrugëtimin politik dhe kombëtar të Kosovës gjatë viteve ’90. Pritet që në këtë promovim të marrin pjesë veprimtarë, intelektualë, përfaqësues të mërgatës shqiptare dhe dashamirë të librit.
Ngjarja do të nisë në orën 19:00 dhe organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe, duke e cilësuar këtë takim si një mundësi për reflektim historik dhe kulturor.
“Ju mirëpresim”, thuhet në njoftimin zyrtar të organizatorëve




