BallinaAtdheuVon der Leyen në Kosovë: Stabilitet institucional, reforma dhe respektim i pavarësisë...

Von der Leyen në Kosovë: Stabilitet institucional, reforma dhe respektim i pavarësisë së gjyqësorit

-

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar një vizitë në Kosovë, ku në fokus të takimeve dhe deklarimeve të saj kanë qenë zhvillimet politike në vend, rruga evropiane, reformat, ekonomia dhe aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në konferencën për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, von der Leyen e ka cilësuar situatën aktuale si një moment të rëndësishëm për Kosovën, duke bërë thirrje për stabilitet institucional dhe bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike.

Sipas saj, krijimi i Kuvendit dhe Qeverisë përbën një zhvillim pozitiv, ndërsa hapi i radhës është zgjedhja e Presidentit të Kosovës.

“Kuvendi dhe qeveria janë themeluar, kjo është mirë. Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit apo presidentes”, deklaroi von der Leyen.

Ajo theksoi se funksionaliteti i institucioneve është i rëndësishëm për zbatimin e reformave, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje për reforma, për rritje dhe për përparim në rrugëtimin tuaj drejt BE-së”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

Von der Leyen për Specialen: Përgjegjësia është individuale

Një pjesë e rëndësishme e deklarimit të saj iu kushtua edhe aktgjykimit të fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Von der Leyen theksoi se aktgjykimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe se mandati i tij duhet të respektohet. Ajo rikujtoi gjithashtu të drejtën e mbrojtjes për të apeluar vendimin.

“Ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, deklaroi ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian bëri gjithashtu thirrje për respektimin e kujtesës së të gjitha viktimave dhe për vazhdimin e përpjekjeve drejt pajtimit.

Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro

Në fokus të deklarimeve të von der Leyen ishte edhe mbështetja financiare e Bashkimit Evropian për Kosovën.

Ajo bëri të ditur se Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro përmes Planit të Rritjes, ndërsa deri tani ka marrë 62 milionë euro parafinancim.

Sipas saj, ky plan paraqet një mundësi për Kosovën që të afrohet më tej me tregun e përbashkët evropian, por përfitimi i plotë lidhet me avancimin e reformave dhe funksionalitetin institucional.

“Plani i Rritjes mund t’ju çojë më afër drejt tregut të përbashkët dhe ju duhet ta kapni këtë mundësi”, tha von der Leyen.

Ajo përmendi edhe procesin e roaming-ut dhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në SEPA, duke kërkuar progres të mëtejshëm në këto fusha.

Sipas saj, përparimi drejt SEPA-s mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e kostove të transaksioneve dhe në lehtësimin e qarkullimit financiar.

“Kosova duhet ta ruajë karakterin multietnik”

Von der Leyen foli edhe për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në Kosovë dhe nevojën për forcimin e besimit me komunitetin serb.

Ajo theksoi se karakteri multietnik i Kosovës duhet të ruhet dhe se ndërtimi i besimit ndërmjet komuniteteve është pjesë e rëndësishme e perspektivës evropiane të vendit.

“E ardhmja evropiane e Kosovës varet nga shoqëria që e ndërton. Kosova duhet të ruajë karakterin multietnik, të ndërtojë besimin me komunitetin serb”, deklaroi ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian përmendi edhe disa zhvillime të këtij viti, përfshirë marrëveshjen e 14 marsit dhe marrëveshjen për personat e pagjetur.

Ndryshimet në Ligjin për Specialen

Von der Leyen u pyet edhe për nismën e Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ajo tha se vendimi për ndryshimin e kornizës ligjore i takon vetë Kosovës, por theksoi se çdo ndryshim duhet të ruajë pavarësinë e gjyqësorit.

“Për sa i përket kornizës ligjore, ndryshimit, i përket Kosovës që të vendosë. Është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit”, tha von der Leyen.

Sipas saj, institucionet e Kosovës mund të përcaktojnë se cilat ndryshime janë të nevojshme, por parimi i pavarësisë së gjyqësorit duhet të mbetet i pacenueshëm.

“Besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës”

Gjatë vizitës së saj, von der Leyen pritet të zhvillojë edhe takime me studentë në Universitetin e Prishtinës dhe të vizitojë hapësira të ndërtuara me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Vizita e presidentes së Komisionit Evropian vjen në një periudhë kur Kosova synon të avancojë në procesin e integrimit evropian, ndërsa nga institucionet e vendit kërkohet përmbushja e reformave dhe forcimi i stabilitetit institucional. Në përmbyllje të deklarimit të saj, von der Leyen përcolli një mesazh të qartë për perspektivën evropiane të Kosovës: “Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës.”, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

“Liria ka Emër” organizon protestën e radhës në mbështetje të ish-krerëve...

0
Platforma “Liria ka Emër” ka organizuar protestën e radhës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin...