Vlora nuk po tërheq vetëm turistë por edhe të huaj që jetojnë e punojnë në këtë qytet. Rreth 400 shtetas italianë, kryesisht pensionistë por edhe të vetëpunësuar, jetojnë aktualisht në Vlorë. Në zyrat e emigracionit pranë Policisë Kufitare numri i tyre është i konsiderueshëm, pasi paraqiten shpesh për rinovimin e lejeve të qëndrimit.
Shumë prej tyre jetojnë prej disa vitesh në qytetin bregdetar dhe rendisin disa arsye pse kanë zgjedhur të vendosen në Vlorë. Edhe pse pranojnë se qiratë e banesave janë rritur, ata theksojnë se këtu paguajnë më pak taksa dhe kostoja e jetesës mbetet më e ulët krahasuar me Italinë. Një tjetër arsye që përmendin shpesh është ndjenja e sigurisë, duke u shprehur se në Vlorë ndihen më të sigurt. Shumë prej tyre madje kanë blerë edhe banesa në qytetin bregdetar dhe thonë se të ardhmen e shohin pikërisht në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga zyra e emigracionit, numri i shtetasve italianë në Vlorë ka ardhur në rritje vitet e fundit. Krahas pensionistëve, ka edhe të vetëpunësuar, si për shembull agjentë imobiliarë apo persona që zhvillojnë aktivitete të vogla biznesi. Ndërkohë, rritje është vënë re edhe te numri i punonjësve të huaj në përgjithësi. Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit në Vlorë, numri i tyre është trefishuar në dy muajt e parë të vitit 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sektori i ndërtimit dhe ai i shërbimeve mbeten më të kërkuarit për fuqinë punëtore të huaj.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Punësimit në Vlorë, Saniela Xhaferi, konfirmon se këtë vit është vënë re edhe një tendencë tjetër krahasuar me një vit më parë. Përveç rritjes së aplikimeve nga shtetas të huaj, edhe bizneset po aplikojnë më herët për plotësimin e vendeve vakante, në mënyrë që të jenë të përgatitura për nisjen e sezonit turistik, transmeton abcnews.




