Ansambli “Drita” me qendrën e saj në Zvicër është e njohur ndër vite me programet e tyre të larmishme artistike nëpër gjithë Zvicrën. Një ansambël që e ka dëshmuar se e meriton të përkrahet edhe në të ardhmen nga të gjithë. Janë të rinjtë, apo brezi i dytë dhe i tretë, që po rriten në Zvicër, por nuk po e harrojnë se nga vijnë. Edhe përmes këtyre ansambleve e shoqatave të shumta që veprojnë në mërgatë, mërgimtarët tanë kanë ruajtur e po e ruajnë më të shenjtën, gjuhën tonë të ëmbëlt shqipe. Padyshim, se shteti zviceran meriton falënderime që i ka mundësuar që të veprojnë si në atdhe.

Drejtuesit e ansamblit njihen nga modestia dhe bashkëpunimi me artistë e artëdhashës të tjerë që jetojnë në Zvicër. Me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ata organizuan një program shumë të pasur kulturo-artistik, përveç shumë mërgimtarëve, ishin të pranishëm edhe artistë që veprojnë në Zvicër, por edhe z.Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih. Z.Berisha njihet për kontributin e tij dhe afërsinë vëllazërore në mesin e mërgimtarëve.
Brenda një viti sa është duke e drejtuar Konsullatën e Kosovës në Cyrih, z.Berisha me modestinë, sinqeritetin dhe përkushtimin e madh që e ka ndaj detyrës dhe mirënjohjes të kontributit të mërgimtarëve tanë për çlirim dhe pavarësi të Kosovës, po mundohet ti nderoj edhe në organizimet e tyre gjithandej Zvicrës. Ansambli „Drita“ në këtë përvjetor i ndajti mirënjohje, z.Berisha për përkrahjen që i ka bërë dhe që po i bënë jo vetëm Ansamblit „Drita“, por në përgjithësi mërgatës sonë.
Berisha me pranimin e mirënjohjes falënderon drejtuesit dhe të gjithë ata që janë pjesë e ansamblit me këto fjalë zemre e plot sinqeritet:

„Me datë 22.02.2025 kishim kënaqësinë të marrim pjesë në festën e organizuar nga Ansambli “Drita” me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ky ishte një moment i veçantë për të reflektuar mbi sakrificën dhe përpjekjet e panumërta që sollën këtë ditë historike për popullin tonë.
Falënderoj organizatorët për mikpritjen dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen e kulturës dhe traditave tona.
Një falënderim i veçantë edhe për mirënjohjen e dhuruar, e cila për mua është një nxitje shtesë për të vazhduar angazhimin tim në shërbim të mërgatës dhe të shtetit tonë në përgjithesi.“
helveticALforum




