POSTIMET E FUNDIT

Vendoset koncepti fitues për Memorialin Përkujtimor Adem Jashari në Prishtinë

Prishtinë, 08 qershor 2026 – Kryeqyteti i Kosovës do të pasurohet me një vepër monumentale me rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare, pasi janë shpallur projektet fituese për ndërtimin e “Memorialit Përkujtimor Adem Jashari”, kushtuar Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjes së tij heroike. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili njoftoi se komisioni profesional vlerësues ka përzgjedhur konceptin fitues që do të realizohet në kryeqytet, duke mishëruar sakrificën, qëndresën dhe idealin e lirisë për të cilin u flijua familja Jashari. Sipas Ramës, projekti fitues bart një peshë të jashtëzakonshme historike, kombëtare dhe emocionale, duke reflektuar figurën e Adem Jasharit dhe trashëgiminë e familjes së tij, e cila u bë simbol i rezistencës dhe luftës për lirinë e Kosovës.

“Koncepti i vendit të parë, i përzgjedhur nga komisioni profesional vlerësues, do të marrë jetë në kryeqytetin e Kosovës, duke bartur me vete peshën e jashtëzakonshme kombëtare, historike dhe emocionale që përfaqëson figura e Komandantit Legjendar dhe familja historike Jashari”, ka deklaruar Rama. Memoriali është konceptuar si një simbol i përhershëm i kujtesës kolektive dhe i sakrificës sublime për liri. Përmes formës artistike dhe mesazhit që përcjell, ai synon të ruajë dhe transmetojë ndër breza vlerat e qëndresës, guximit dhe përkushtimit ndaj atdheut. Duke iu referuar figurës së Adem Jasharit, kryetari Rama theksoi se memoriali do të përfaqësojë zërin e lirisë që sfidoi frikën, pushtimin dhe vdekjen, duke i hapur rrugën Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetndërtimit. Një vend të veçantë në konceptin e memorialit zë edhe thënia e njohur e Adem Jasharit: “Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë”, e cila sipas Ramës është shndërruar në frymëzim për veprën që do të ndërtohet në zemër të kryeqytetit.

“Ky memorial e shndërron zërin e tij në një simbol të përjetshëm të lirisë, që do të jehojë në kohë dhe në hapësirë. Sepse ka zëra që nuk shuhen kurrë. Ata jetojnë në kujtesën e një kombi dhe në zemrën e një shteti të lirë”, ka shkruar ai. Ndërtimi i Memorialit Përkujtimor Adem Jashari konsiderohet një ndër projektet më të rëndësishme memoriale në Kosovë, duke synuar që përmes artit dhe arkitekturës të nderojë një nga figurat më emblematike të historisë moderne shqiptare. Ai pritet të shndërrohet në një pikë referimi për qytetarët, vizitorët dhe brezat e rinj, të cilët do të kenë mundësinë të njihen më nga afër me sakrificën e familjes Jashari dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë. Memoriali do të jetë jo vetëm një vepër artistike dhe arkitektonike, por edhe një dëshmi e përhershme e mirënjohjes së popullit të Kosovës ndaj atyre që dhanë gjithçka për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB