Mësuese Fabjola Gjinaj
Më 28 nëntor 2025, “Vatra” Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” në New York festuan së bashku Pavarësinë e Shqipërisë me pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar. Aktiviteti u hap me ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar përkrah atij amerikan. Për herë të parë flamuri u ngrit pranë degës së “Vatrës” në Long Island nga komuniteti shqiptar, ndërsa u lexua edhe Akti i Pavarësisë së Shqipërisë.
Më pas u intonuan himni amerikan dhe himni kombëtar shqiptar. Aktiviteti u moderua nga Sekretari i “Vatrës”, i cili përshëndeti të pranishmit dhe ftoi kryetarin e “Vatrës” në Long Island, Dr. Paulin Marku. Në fjalën e tij, Dr. Marku përshëndeti të ftuarit dhe shprehu mirënjohjen për shtëpinë botuese “Gjergj Fishta”, si dhe falënderoi studiuesin e publicistin Frano Kulli për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të shkollës dhe degës së “Vatrës”. Ai falënderoi edhe Prof. Dr. Luigj Gjokën për angazhimin e tij të vazhdueshëm në aktivitetet e komunitetit.
Kryetari vlerësoi vatranët e degës, prindërit dhe stafin pedagogjik të shkollës “Gjergj Fishta”, duke shprehur krenarinë për bashkëpunimin, arritjet dhe progresin e nxënësve, të cilët shquhen në recitime, këngë dhe valle nga treva të ndryshme shqiptare. Ai uroi Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.
Editori i gazetës “Dielli”, Sokol Paja, në pamundësi për të qenë i pranishëm fizikisht, përcolli fjalën përshëndetëse me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke uruar organizatorët për Simpoziumin me vlera historike kushtuar kësaj dite të shënuar. Ai theksoi se shkolla “Gjergj Fishta” dhe “Vatra” Long Island përbëjnë dy institucione patriotike që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë dhe identitetit kombëtar në diasporë.
Në vijim, studiuesi Frano Kulli mbajti kumtesën “Enti botues ‘Gjergj Fishta’ dhe kontributi i tij në zbardhjen e materialeve arkivore”. Ai theksoi se botimet e institucionit që drejton kanë nxjerrë në dritë dokumente të rëndësishme historike, letrare e klerikale lidhur me figura të shquara si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Ndoc Nikaj e të tjerë. Kulli dhuroi për shkollën kolonën e plotë të Fishtës prej 10 librash dhe një kopje portreti të Fishtës, punuar mjeshtërisht nga piktori Pashk Pervathi, sjellë enkas nga Shqipëria.
Akademik, Prof. Dr. Beqir Meta u përfaqësua me kumtesën “Vatra dhe shteti shqiptar gjatë viteve 1920–1921”, ku u ndal te roli i jashtëzakonshëm i Federatës “Vatra” në konsolidimin e shtetit të ri shqiptar, lobimin në arenën ndërkombëtare dhe mbështetjen financiare që i dha vendit përmes Huasë Kombëtare.
Prof. Dr. Luigj Gjoka mbajti kumtesën “Pavarësia e Shqipërisë dhe rëndësia e përkujtimit në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë”, duke theksuar se kjo ditë përbashkon shqiptarët anembanë botës dhe përbën një moment krenarie kombëtare.
Dr. Paulin Marku paraqiti kumtesën “Qasja politike dhe diplomatike e shqiptarëve për fitimin e Pavarësisë”, duke theksuar rolin e Lidhjes së Prizrenit, kryengritjeve shqiptare, elitës politike në Stamboll dhe lobimit ndërkombëtar të Ismail Qemalit.
Në përmbyllje të simpoziumit përshëndeti edhe poeti vatran Prend Ndoja, i cili vlerësoi rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve në diasporë dhe rolin e shkollës shqipe në ruajtjen e gjuhës e kulturës. Zonja Borana Coka, prind i shkollës shqipe përshëndeti në emër të prindërve dhe vlerësoi rolin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe falënderoi stafin pedagogjik për punën e tyre me nxënësit. Edhe z. Nikoll Gjinaj përcolli urime për Pavarësinë, duke vlerësuar bashkëpunimin e komunitetit dhe suksesin e shkollës “Gjergj Fishta”.

Mësuesja dhe bashkëthemeluesja Fabjola (Gjinaj) Marku falënderoi komunitetin për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin gjatë vitit shkollor, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve që mbajnë gjallë identitetin shqiptar në diasporë. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për mësuese Dorina Durrën për kontributin në përgatitjen e koncertit të nxënësve.
Mësuesja Dorina Durra uroi Pavarësinë dhe vlerësoi progresin e nxënësve dhe unitetin e komunitetit.
AKTIVITETI MUZIKOR PËR FESTËN E PAVARËSISË
Programi muzikor dhe recitalet e nxënësve të shkollës “Gjergj Fishta” u përgatitën nga mësuese Fabjola (Gjinaj) Marku dhe mësuese Dorina Durra.
Programi, i prezantuar nga Alisia Durra dhe Alex Qepuri, përfshiu:
Deklaratën e Pavarësisë – Alex Qepuri
Këngën “Për mëmëdhenë” – Olivia Kokona
Vargjet e Fishtës “Gjuha shqipe” – Bora Loxha, Emeli Marku, Arnisa Muçaj dhe Alisia Durra
“Festa e Flamurit” – Kamila Marku
“28 Nëntori” – Ajla Durra dhe Parta Loxha
“Atdheu” – Arnisa dhe Arnis Muçaj
Vallja e Çamërisë – nxënësit e shkollës
“Nëntori” – Parta Loxha
Recitime të të vegjëlve – Bojken Baraktari, Aron Domi, Era Bajraktari
“Jam Shqiponja” – Emeli Marku
“Babai pyeti Benin” – Ajla Durra
“Jam djalë Dukagjini” – Alex Qepuri
“Shqipe, hapi krahët fluturo” – Dritëroi, Shqiptari dhe Albin Mulaj
“Shqipe nga Kosova” – Arnisa dhe Arnis Muçaj
Vallja me motive matjane – nxënësit e shkollës
“O malet e Shqipërisë” (Naim Frashëri) – Alex Qepuri
“Fjalët e Qiriut” – Emeli Marku, Bora Loxha, Alisia Durra
Vallja e Tropojës – nxënëset e shkollës
“Xhamadani vija-vija” – grupi i të vegjëlve
“Kuq e Zi” – Alisia Durra dhe Alex Qepuri
“Vatra” Long Island dhe shkolla “Gjergj Fishta” organizuan gjithashtu një koktej rasti dhe prenë tortën e Pavarësisë. Në fund, organizatorët falënderuan të gjithë nxënësit për performancat, si dhe stafin, prindërit dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti të bukur. Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Zoti e bekoftë atdheun tonë! /GDielli




