1.8 C
Zurich
Monday, February 2, 2026
spot_img
spot_img

Urtësinë tënde nuk do ta harrojmë kurrë…

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Katër vjet pa ty, z. Bajrush Krasniqi.

Katër vjet pa zërin tënd të qetë dhe pa buzëqeshjen që fliste më shumë se fjalët. Në atë mëngjes të hershëm, rreth orës 05:00, në Zagreb, pushoi së rrahuri zemra e një njeriu që jetoi me dinjitet dhe la gjurmë të pashlyeshme.

- Advertisement -

Lajmin e hidhur e mora nga djali yt, Ardiani. Që atë ditë, malli nuk u pakësua, por u shndërrua në kujtim të përhershëm. Kujtimet për ty do t’i ruaj deri sa të ndahem edhe unë nga kjo jetë.

Screenshot

Kisha nderin të zhvilloja një intervistë me ty, vetëm dy muaj para ndarjes sate nga kjo botë, për librin “Atdheu Portativ”. Ishe i qetë, i urtë, shembull i së mirës. Flisje për jetën pa zhurmë, për mërgimin pa ankesë, për atdheun që e mbajte gjithmonë me vete – si një amanet që nuk rëndon, por të mban gjallë.

Në atë bisedë, tregove për rrugëtimin tënd të gjatë në mërgim, për vitet e shkollimit, punës dhe veprimit në Zagreb, për kontributin tënd në mbrojtje të qytetit dhe të Republikës së Kroacisë gjatë Luftës Atdhetare 1990–1992. Me përulësi fole për dekorimin nga Presidenti Dr. Franjo Tuđman me Memorialin e Luftës Atdhetare, si dhe për statusin HRVATSKI BRANITELJ IZ DOMOVINSKOG RATA – DRAGOVOLJAC, pa i quajtur kurrë ato merita personale, por detyrë njerëzore.

- Advertisement -

Tregove edhe për humanitetin tënd, për dhurimin vullnetar të gjakut, për vlerat që i kishe trashëguar dhe i kishe përcjellë tek familja jote shembullore. Me krenari, por me thjeshtësi, fole për bashkëshorten Melihatën, për vajzën Kaltrinën, infermiere me studime Master në KBC Zagreb, dhe për djalin Ardianin, ekonomist i diplomuar. Aty ku fjalët të ndaleshin, fliste dashuria.

Në vitin 2016, u dekorove edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” – një mirënjohje tjetër për një jetë të jetuar me nder.

Katër vjet pa ty, z. Bajrush Krasniqi, por jo pa zërin tënd në kujtesën tonë. Jo pa fjalët e asaj interviste që sot tingëllojnë si amanet. Jo pa buzëqeshjen me shpirt të bardhë që e le pas.

Screenshot

I përjetshëm qoftë kujtimi yt.

Do të të kujtojmë për jetë të jetëve. Shpirti të bëftë dritë në parajsë!

Me ju jam edhe sot e përjetë, zonja Melihate, Ardian dhe Kaltrina. Krenarë për babain tuaj.

- Advertisement -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme