0.2 C
Zurich
Tuesday, November 18, 2025
spot_img
spot_img

UNIVERSITETI ‘HAXHI ZEKA’ THEMELON QENDRËN NOVA – MOTORIN E RI TË INOVACIONIT DHE NDËRMARRËSISË NË KOSOVË

Duhet ti lexosh

Këshilli Drejtues i Universitetit “Haxhi Zeka” ka marrë një vendim historik, duke miratuar themelimin e Qendrës Universitare për Inovacion dhe Ndërmarrësi – NOVA, institucionit më të ri i cili do të shndërrohet në pikëreferencë për gjeneratën e re të inovatorëve dhe sipërmarrësve në Kosovë.

Qendra NOVA themelohet në cilësinë e një shoqërie tregtare në pronësi të plotë të Universitetit “Haxhi Zeka”, duke e bërë atë model unik në hapësirën universitare shqiptare dhe rajonale. Ajo do të ndërtohet gradualisht dhe do të funksionojë sipas modelit modern të “heliksit të trefishtë” – universitet, biznes dhe qeverisje – duke krijuar një ekosistem të qëndrueshëm që lidh botën akademike me sipërmarrjen dhe politikëbërjen zhvillimore.

Me themelimin e saj, Universiteti “Haxhi Zeka” hap kapitullin e ri të transformimit në një universitet sipërmarrës, duke marrë përsipër menaxhimin e inkubatorëve të biznesit, startup-ve dhe akseceleratorëve, të cilët pritet të gjenerojnë ide të reja, vende pune dhe mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e të rinjve.

Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, theksoi se kjo iniciativë është gur themeli në rrugëtimin e universitetit drejt ndërveprimit të drejtpërdrejtë me tregun dhe ekonominë:

“Qendra NOVA nuk është vetëm një strukturë e re institucionale, por një hapësirë ku idetë transformohen në projekte, projektet në biznese, dhe bizneset në motorë të zhvillimit ekonomik. Ky është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e të rinjve tanë dhe në fuqizimin e Dukagjinit dhe Kosovës.”

Qendra NOVA do të shërbejë si urë lidhëse mes studentëve, profesorëve, bizneseve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe institucioneve publike, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për inovacion, kreativitet dhe rritje të qëndrueshme ekonomike.

Ky vendim i Këshillit Drejtues shënon një hap gjigant drejt vizionit të Universitetit “Haxhi Zeka” për t’u shndërruar në një qendër të dijes, inovacionit dhe ndërmarrësisë, duke vendosur Pejën dhe Dukagjinin në hartën e zhvillimit akademik dhe ekonomik rajonal./UHZ

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit