5 C
Zurich
Friday, November 28, 2025
spot_img
spot_img

Udhëtimi i Ismail Qemalit përmes Myzeqesë dhe ngritja e flamurit në Fier

Duhet ti lexosh

Nga Ilirjan Gjika

Në vitin 1912, Fieri, do të shndërrohej në një prej qëndrave të kryengritjes së përgjithshme për jugun e Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe në këtë qytet dhe rrethinat e tij do të zhvillonte një veprimtari të gjerë politike edhe Ismail Qemali, nën drejtimin e të cilit u realizua shpallja e Pavarësisë. Më 12 gusht 1912, ai, do të drejtonte Mbledhjen e Fierit e cila e ngarkoi me mision drejt Stambollit, për të ndikuar pranë qeverisë osmane për realizimin e autonomisë së Shqipërisë (1).

Ndërkohë, fillimi i Luftës së Parë Ballkanike dhe thyerja e Perandorisë Osmane në të gjitha frontet, e detyruan Ismail Qemali, Luigj Gurakuqin dhe njerëzit që i shoqëronin, të ktheheshin në Shqipëri. Kështu, gjatë udhëtimit historik për të realizuar shpalljen e Pavarësisë, ata do të ndiqnin itinerarin Stamboll-Bukuresht-Vjenë-Trieste-Durrës, duke mbërritur në atdhe më 21 nëntor 1912 (2).

Nga njoftimi i konsullit austro-hungarez në Durrës, dërguar Ministrisë së Jashtme në Vjenë, mësojmë se grupi i tyre u nis drejt Vlorës në datën 23 nëntor (3). Udhëtimi u bë në një mot të ftohtë, të rënduar nga reshjet e shumta ku lumenjtë kishin dalë nga shtrati dhe kishin përmbytur fushat. Pasi la Durrësin, grupi i drejtuar nga Ismail Qemali u fut në Kavajë i shoqërua nga patrioti Qazim Merhori, i cili i vuri në shërbim kuajt e vet, ndërsa lumin Shkumbin e kaluan në lundrën e vaut të fshatit Çermë-Biçak. Këtu, u strehuan gjatë natës në shtëpinë e Dervish Biçakut (4). Për këtë na informon edhe telegrami që Qemal Karaosmani, një prej pjesëmarrësve në këtë udhëtim do ti dërgonte nga Durrësi më 23 nëntor, vëllait, Behxhet Beut. ‘’Sot po nisemi dhe po vijmë aty, jemi më tepër se njizet vetë, Pra, pregatituni dhe na bani vend ke Dervish beu ose në shpië tuaj. Në dashtë zoti mbrama jemi aty’’ (5).

Ndërkohë të nesërmen gjatë udhëtimit, grupi i patriotëve, u njoftua se në Lushnje, xhandarmëria kishte marrë urdhër të arrestonte Ismail Qemalin. Për këtë qëllim u dërgua edhe një repart xhandarësh në fshatin Gramsh, përgjatë rrugës Rrogozhinë-Lushnje (6). Në pamundesi për të vazhduar në drejtim të Lushnjes, grupi u kthye përsëri ne Çermë Biçak dhe vazhdoi udhëtimin përgjatë fushës së Myzeqesë. Pasi përshkoi itinerarin Çermë-Biçak, Çermë-Proshek, Çermë-Pasha, Çermë-Çiflik, Sulzotaj, Divjakë, Xeng, Mizë, Kryekuq dhe Babunjë, Ismail Qemali dhe patriotët që e shoqëronin, do të mbërrinin në mbëmjen e datës 24 nëntor në Libofshë (7). Në shënimin që i bën telegramit të mësipërm të Qemal Karaosmanit, Lef Nosi, botuesi i dokumentave të Pavarësisë Kombëtare dhe ish ministër në qeverinë e Ismail Qemalit, shkruan se: ‘’Më 10 Ismail Beu me gjithë shokë, fjeti në Çermë e më 11 në Libofshë’’. Sqarojmë se me kalendarin e vjetër, datat 10 dhe 11 nëntor, korrespondojnë me datat 23 dhe 24 nëntor, të kalendarit e ri, Gregorian. Këtë gjë e pohon edhe historiani Kristo Frashëri në veprën e tij, ‘’Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë’’, kur thekson se: ‘’Nga Çerma kuvendarët u nisën me rrugë të gjarpëruar për në Fier. Por, ngaqë rruga zgjati, ata në mbrëmjen e 24 nëntorit fjetën, sipas një shënimi të Lef Nosit, në fshatin Libofshë, larg, vëzhgimit të xhandarmërisë’’ (.

Ndërsa në kujtimet e tij të publikuara në shkrimin, ‘’Një udhëtim historik në nëntor 1912’’, botuar në gazetën Arbëria të datës 28 nëntor 1936, Qemal Karaosmani, shkruan midis të tjerave: ‘’U nisëm në rrugën e Karatoprakut dhe mbërritëm në rremën e Sulzotajt, që ishte e mbushur me ujë. Kaluam, po me vështirësi të madhe, duke u lagur, por mjaft që nuk kishte rrymë. Si kaluam prej andej, vajtëm në Libofshë atë natë, në konak të vaktit që kishte gatitur i ndjeri Nedin Bej Leskoviku kur ishte si drejtor i vakëfeve ’Valide Sulltane’. Të nesërmen u nisëm herët për të ngrënë drekën në Fier dhe darkën në Vlorë. Posa mbërritëm tek lundra e Petovës, mbasi në atë kohë nuk ekzistonin ura nëpër lumenj, u takuam me delegatët e Elbasanit dhe të Kosovës: Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Salih Gjuka dhe Bedri Pejani’’ (9). Po kështu, Ferit Vokopola, një tjetër firmëtar i Aktit të Pavarësisë, në shkrimin e tij ‘’Atë unë e njoha’’, botuar në gazetën ‘’Njeriu’’ të datës 8 shkurt 1944, midis të tjerave thekson: ‘’Njeriu i madh me apostujt e vetë arriti në Durrës duke kapërcyer një mijë pengime. Ai kur do të kalonte Shkumbinin fuqitë ushtarake osmane u orvatën ta zënë: Shqiptarët që e prisnin si shpëtimtar të Atdheut iu përveshën masave të luftimit kundra tyre. Kalorija otomane detyrohet të ndalet pjesërisht në katundin Zhamë e tjetra në Gramsh të N/Prefekturës të Lushnjes.

Ismail Qemali me shokë në bazë të planit të vendosur prej Çermës të zotni Dervish Bej Biçakut, i cili vuni të gjithë fuqitë e tij në dispozicion u nis për në Fier në rrugën Karatoprak-Libofshë, drejt të cilës ishin marrë tërë masat e sigurimit nga Lushnja’’ (10).

Ndërkohë që në hyrje të Libofshës, grupi, u prit nga çeta e priftit dhe mësuesit patriot, Ikonom Kozma Dhimës. Atë natë, Ismail Qemali, u strehua në konakët e Nedin Bej Leskovikut, ish kujdestarit të çifligjeve shtetërore turke të Myzeqesë. Të nesërmen, udhëtimi nisi përsëri drejt qytetit të Fierit. Te Lundra e Petovës, në breg të lumit Seman, grupit do ti bashkoheshin edhe delegatët e Elbasanit dhe të Kosovës. Ndërsa në Fier, patriotët, do të priteshin në shtëpinë e Omer Pashë Vrionit, në prani të krerëve të vendit (11). Po atë pasdite përpara nisjes drejt Vlorës, Ismail Qemali, do të ndalej edhe në zyrën e post-telegrafit, si dhe do të fliste përpara popullit në një miting spontan (12). ‘’Prej andej mbërritëm në Fier, tek Ymer Vrioni, ku hëngrëm drekën.

Për darkë nuk qëndruam sepse I. Qemali tha se duhej të shkonim një orë e ma parë në Vlorë… Mbas orës tre u nisëm nga Fieri dhe vajtëm në lundrën e Vjosës dhe si kaluam, hymë në rajonin e Vlorës …’’, vijon rrëfimin e tij në këtë rast Qemal Karaosmani (13). Ndërkohë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, delegatë të Prefekturës së Beratit për Mallakastrën dhe Fierin, do të ishin edhe Hajredin Cakrani dhe Sami Vrioni. I pari do të ishte firmëtar i Aktit të Pavarësisë, ndërsa i dyti do të zgjidhej anëtar i Pleqësisë (14). Këtë kontekst do ta mbyllte akti i Tonç Kilicës, i cili si kryetar i bashkisë, së bashku popullin dhe patriotët vendas, do të zhvillonin më 29 nëntor 1912 edhe ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit (15). Kështu edhe Fieri iu bashkua shtetit të ri shqiptar dhe qeverisë së Ismail Qemalit të dalë nga vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. ‘’Ju bëjmë të ditur me gëzim se të mbështetur në vendimet e Kongresit që na u komunikuan nga ana e kryesis së Beratit, me hir të Zotit e ngritëm edhe këtu flamurin kombëtar me nderime.

Zoti na e pruftë mbarë”, shkruhet në telegramin që Tonç Kilica i dërgon kryesisë së Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë (16). Telegrami së bashku me dokumente të tjera të periudhës së viteve 1912-1918, u publikuan nga nënshkruesi i Aktit të Pavarësisë dhe Ministri i Post-Telegrafit në Qeverinë e Vlorës, Lef Nosi. Ato u botuan fillimisht në Elbasan gjatë viteve 1924-1925 në vëllimin me disa numra të titulluar: ‘’Dokumente historike për t’i shërbyer historisë tonë kombëtare” (17). Më pas do të përfshiheshin edhe në botime të ndryshme së bashku me dokumente të tjera të qeverisë së Ismail Qemalit (18).

* Një pjesë harte që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit përmes Myzeqesë, Muzeu Historik Fier

*****

1-Pirro Tako, Luigj Gurakuqi, ‘’8 Nëntori’’, Tiranë 1980, f. 171-172

2- Historia e Shqipërisë, ASH-IH, Tiranë 1984, f. 496

3-Teuta Hoxha, Ismail Qemali-Përmbledhje dokumentesh, DPASH, Tiranë 1982, f. 220

4-Kol Nika, Një fshat i lashtë, Tiranë 1995, f. 43

5-L. Nosi, Dokumente historike, IH, Tiranë 2007, f. 76; K. Frashëri, Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ASHSH, Tiranë 2008, f. 134

6-Koli Xoxi, Ismail Qemali, 8 Nëntori, Tiranë 1983, f. 245

7-Kol Nika, Një fshat i lashtë, Tiranë 1995, f. 43

8-L. Nosi, Dokumente historike, IH, Tiranë 2007, f. 76; K. Frashëri, Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ASHSH, Tiranë 2008, f. 87

9-Qemal Karaosmani, Një udhëtim historik në nëntor 1912, Gazeta Arbëria, dt. 28 nëntor 1936

10-Ferit Vokopola, ‘’Atë’’ unë e njoha, Gazeta Njeriu, dt. 8 fruer 1944, f. 2

11-Po aty, f. 3

12-Lef Nosi, Dokumente historike, IH, Tiranë 2007, f. 78

13-Q. Karaosmani, Një udhëtim historik në nëntor 1912, Gazeta Arbëria, dt. 28 nëntor 1936; L. Dushku, Lef Nosi dhe historia e flamurit të pavarësisë, Studime Historike, 1-2, Tiranë 2013, f. 239-246

14-Ligjvënësit shqiptarë (1912-2017) dhe firmëtarët e aktit të pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2018, f. 29-30; Historia e popullit shqiptar, ASH-IH, Toena, Tiranë 2002, f. 510; K. Dervishi, Historia e shtetit shqiptar, 1912-2005, 55, Tiranë 2006, f. 22

15-J. Milaj, Ngritja e flamurit në Fier, Dosja e Pavarësisë, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier; I. Gogaj, Shpallja e pavarësisë dhe veprimtaria e qeverisë së Vlorës në Fier, Dosja e Pavarësisë, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier

16-L. Nosi, Dokumente historike, IH, Tiranë 2007, f. 116; T. Hoxha, Ismail Qemali, Përmbledhje dokumentesh, DPASH, Tiranë 1982, f. 214

17-Lef Nosi, Dokumente historike, IH, Tiranë 2007, f. 5

18-Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe veprimtarija e saj, DPA, Tiranë 1963; T. Hoxha, Ismail Qemali-Përmbledhje dokumentesh, DPASH, Tiranë 1982; T. Hoxha, Ismail Qemali: përmbledhje dokumentesh 1888-1919, Mësonjtorja e parë, Tiranë 2002; L. Nosi, Dokumente Historike, IH, Tiranë 2007. /GD

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit