POSTIMET E FUNDIT

U përfol si kandidat i mundshëm për kryeministër nga PDK, Thaçi për gazetën gjermane: E kam hedhur pas garën por jo jetën politike

sh-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur nga burgu i Hagës në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeintung.

Teksa pret vendimin e këtij viti nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për akuzat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, Thaçi shprehet besimplotë në pafajësinë e tij dhe konfirmon se nuk e konsideron të mbyllur karrierën e tij politike.

Në intervistën e dhënë nën kushtet e rrepta të tribunalit – pa mundësi pyetjesh plotësuese dhe me detyrimin që teksti të botohet i pandryshuar – Thaçi fillimisht falënderon për mesazhin e ngushëllimit pas vdekjes së babait të tij.

Ka qenë një humbje e madhe për familjen time dhe për mua personalisht. Fakti që nuk pata mundësi të marr pjesë në varrimin e babait tim dhe t’i bëj nderimin e fundit më ka plagosur thellë – një dhimbje që do ta mbaj gjatë gjithë jetës sime”, thotë ai.

I pyetur nëse jeta politike e Hashim Thaçit ka mbaruar përgjithmonë, ish-presidenti përgjigjet kategorikisht: “Unë e shoh garën politike pas meje, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës, edhe në të ardhmen do t’i shërbej publikut dhe shtetit. Përulem para popullit të Kosovës, i cili për dy dekada më ka dhënë besim, respekt dhe mbështetje për vizionin tim politik”.

Ekipi i mbrojtjes së Thaçit argumenton se brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ka ekzistuar një zinxhir i qartë komandimi, prandaj ai dhe bashkëakuzuarit nuk mund të mbahen përgjegjës për veprimet e kryera në terren.

Thaçi mbështet plotësisht këtë linjë mbrojtjeje dhe rikujton se Dhomat e Specializuara janë mekanizmi i katërt ndërkombëtar që heton ngjarjet e viteve 1998-1999, pas ICTY-së, UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Ai thekson se akuza origjinale e bazuar në raportin e Dick Marty-t për trafik organesh është hequr plotësisht nga aktakuza.

Lidhur me çështjen e viktimave, Thaçi thotë se Kosova ka krijuar mekanizma për t’i mbështetur ato dhe se mbështetja për të akuzuarit në Hagë (përfshirë vizitat familjare) është një praktikë normale në shtetet demokratike.

“Vetëm pak vende në botë e kanë marrë mbi vete një përgjegjësi të tillë”, shton ai.

Ish-presidenti paralajmëron se procesi në Hagë mund të shtrembërojë tablonë historike të luftës në Kosovë.

Ai thekson se krimet e mundshme të individëve të UÇK-së “në tablonë e përgjithshme nuk mund të krahasohen” me ato të kryera nga forcat serbe dhe paramilitarët në 1998/99.

“Ky proces nuk duhet të përdoret si mjet për të rishkruar historinë dhe për të minimizuar vuajtjen reale të një populli”, paralajmëron Thaçi.

Për ndërhyrjen e NATO-s në 1999, ai e cilëson si të justifikuar dhe të bazuar në vlerat perëndimore të lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Pa rezistencën e popullsisë së Kosovës dhe pa ndërhyrjen e NATO-s, Kosova sot nuk do të ekzistonte”, thotë ai.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Thaçi ripërsërit qëndrimin e tij për një paqe të qëndrueshme që kalon vetëm nëpërmjet njohjes reciproke ligjërisht të detyrueshme.

Ai nuk detajon çështjen e “shkëmbimit të territoreve”, por thekson se objektivi i tij ka qenë gjithmonë një zgjidhje diplomatike brenda Kushtetutës së Kosovës, në bashkëpunim me aleatët strategjikë.

Në fund të intervistës, i pyetur nëse do t’i këshillonte PDK-së një koalicion me Vetëvendosjen e Albin Kurtit për të kapërcyer bllokadën aktuale politike, Thaçi përgjigjet shkurt: “Prioriteti im është procesi ligjor që po kaloj aktualisht. Ajo që mund të them është se në Kosovë gjithmonë duhet të vihen interesat e qytetarëve mbi interesat partiake”, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB