Topi: Politikanët janë të obsesionuar pas pushtetit, institucionet po humbasin pavarësinë
Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka komentuar situatën politike dhe institucionale në vend, duke u ndalur veçanërisht te debati i fundit rreth ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë”, Topi kritikoi mënyrën se si, sipas tij, klasa politike shqiptare e ushtron pushtetin dhe raportin që ajo ka me institucionet.
Topi u shpreh se një nga problemet kryesore të politikës shqiptare është mungesa e respektit për institucionet dhe për shtetin, duke argumentuar se vëmendja e politikanëve është përqendruar më shumë te ruajtja dhe zgjatja e pushtetit.
“Përgjithësisht nuk kanë respekt për shtetin. Kanë respekt dhe janë të obsesionuar për pushtetin”, deklaroi Topi, duke e lidhur këtë qëndrim edhe me mënyrën se si funksionon parlamenti.
Sipas ish-presidentit, mungesa e transparencës në Kuvend është një tjetër element që ngre pikëpyetje mbi funksionimin institucional. Ai kritikoi kryeministrin Edi Rama për atë që e konsideron si mungesë të transparencës përpara parlamentit.
“Sa herë shkon zoti Rama dhe të bëjë transparencë? Që nuk e bën. Pse të flasim për institucionet e tjera?! Përderisa kanë ndodhur gjëra kaq të forta në këtë vend, si mund të kem besim?”, tha Topi.
Topi: Pushteti nuk duhet të jetë i pafund
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit të ish-presidentit lidhej me kohëzgjatjen e qëndrimit në pushtet. Duke iu referuar modelit amerikan, Topi argumentoi se rotacioni dhe kufizimi i mandateve janë pjesë e një kulture institucionale që, sipas tij, mungon në Shqipëri.
“Në SHBA është katër vjet, tetë vjet nëse merr dy mandate. Sa presidentë kemi parë që kanë ikur dhe shohin jetën e tyre. Nuk ka një model këtu. Modeli i tyre është pafundësisht”, u shpreh ai.
Topi theksoi se qëndrimi i gjatë në pushtet, sipas tij, duhet të shihet edhe në raport me cilësinë dhe funksionimin e shtetit.
“Kur mendon për pushtetin, kam të drejtë të mendoj për cilësinë e shtetit. Nuk shkon kjo histori kështu. Pushtet pafund”, deklaroi ish-presidenti.
Vlerësimi për drejtësinë
Duke folur për institucionet e drejtësisë, Topi u shpreh se reforma në drejtësi ka marrë mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë dhe se gjyqtarët, sipas tij, kanë treguar një qëndrim të pavarur në raport me politikën.
“Drejtësia ka pasur një mbështetje nga partnerë të fuqishëm ndërkombëtarë. Gjyqtarët po tregojnë dinjitet”, tha Topi.
Në këtë kontekst, ai iu referua edhe rasteve kur zyrtarë të drejtësisë kanë refuzuar të marrin pjesë në takime të thirrura nga politika, kur çështjet që trajtojnë ndodhen ende në proces gjyqësor.
“Kur ai i thërret në tryezë, ato thonë me të drejtë: nuk vijmë, se çështja është në proces gjyqësor”, u shpreh Topi.
Deklaratat e ish-presidentit vijnë në një moment kur debati mbi funksionimin e institucioneve, pavarësinë e tyre dhe raportin mes politikës dhe drejtësisë mbetet një nga çështjet kryesore të diskursit publik në Shqipëri. /BS










