4.9 C
Zurich
Sunday, February 8, 2026
spot_img
spot_img

Takim domethënës në Vatikan: PhD Dashnim Hebibi viziton Misionin e Republikës së Kosovës pranë Selisë së Shenjtë

Duhet ti lexosh

Nga Dahest LUMA, Milano

Në kuadër të angazhimeve të tij të fundit në Romë, PhD Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore në Zvicër, kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” dhe veprimtar i njohur i diasporës shqiptare, zhvilloi një takim të veçantë dhe mjaft domethënës në Vatikan.

Gjatë kësaj vizite, PhD Hebibi u prit nga Prof. Dr. Vehbi Miftari, Shef i Misionit të Republikës së Kosovës pranë Selisë së Shenjtë, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Vatikan. Në këtë takim ai ishte i shoqëruar edhe nga daja i tij Bekimi si dhe Argetimi.

- Reklama -

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe mikpritëse, duke u karakterizuar nga një bashkëbisedim i hapur dhe konstruktiv mbi tema aktuale, zhvillime me interes të përbashkët, si dhe çështje që lidhen me rolin e diasporës shqiptare dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.

Miqësia Kosovë–Vatikan dhe rruga e bashkëpunimit

Gjatë bashkëbisedimit, Prof. Dr. Vehbi Miftari i njoftoi mysafirët lidhur me rëndësinë e dekretimit të Misionit të Përhershëm të Republikës së Kosovës në Vatikan në vitin 2023, duke theksuar se ky hap ka ndikuar ndjeshëm në thellimin e raporteve kulturore, sociale dhe institucionale ndërmjet dy palëve. Ai vlerësoi se angazhimi i përbashkët për promovimin e vlerave kulturore dhe të lirive njerëzore dëshmon për njohjen e realitetit demokratik të Kosovës dhe për përafrimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë.

Sipas Prof. Miftarit, që nga vendosja e këtij misioni, Kosova ka qenë vazhdimisht e pranishme në Vatikan, duke ndërtuar një raport besimi dhe partneriteti, i cili shtrihet jo vetëm në rrafshin politik, por edhe në atë kulturor e social. Ai theksoi se raportet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Selisë së Shenjtë janë shumë të mira dhe po intensifikohen vazhdimisht, me synimin që një ditë të arrihet edhe njohja formale e Kosovës nga Vatikani.

- Advertisement -

Nga Rugova te liderët e sotëm – një histori takimesh

Gjatë takimit u përmendën edhe kontaktet e hershme të liderëve politikë të Kosovës me Vatikanin, të cilat nisën në fillim të viteve ’90. Prof. Miftari rikujtoi takimin historik të presidentit Ibrahim Rugova me Papa Gjon Palin II më 11 mars 1993, që ishte hera e parë që Selia e Shenjtë priste në audiencë private një lider politik nga Kosova. Rugova, i njohur si simbol i rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës, u takua me Papën edhe gjatë viteve të luftës në vitin 1999, si dhe pas saj.

Më pas, raportet dhe takimet kanë vazhduar pa ndërprerje edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me vizita të shumta të presidentëve dhe kryeministrave kosovarë te Papa Benedikti XVI dhe Papa Françesku, deri te audiencat e fundit të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Në këtë kontekst, u përmend edhe takimi i veçantë i zhvilluar në tetor të vitit 2025 me Atin e Shenjtë, Papa Leonin XIV, gjatë të cilit u zhvillua një bisedë e ngrohtë mbi besimin dhe vlerat humane, duke shprehur mirënjohjen dhe respektin e thellë të popullit të Kosovës.

Simbole, kujtime dhe emocione

Një moment i veçantë i takimit ishte edhe dhurata simbolike e përmendur nga Prof. Miftari: një kryq i punuar në filigran, artizanat tradicional kosovar, i cili i ishte dhuruar Papës si shenjë e mjeshtërisë, shpirtit dhe besimit të popullit të Kosovës.

Gjithashtu, në tavolinën e tij ndodhej një gur simbolik, për të cilin Prof. Miftari sqaroi se ishte dhuratë nga familja e presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilin ai e ruan me shumë përkushtim dhe ndjenjë, si kujtim të çmuar dhe me vlerë të veçantë emocionale.

Biseda u shoqërua shpesh me emocione sa herë që përmendej emri i presidentit Rugova, figurë që mbetet thellësisht e respektuar në raportet Kosovë–Vatikan.

Roli i diasporës dhe Lugina e Preshevës

Gjatë takimit, PhD Dashnim Hebibi foli edhe për punën dhe kontributin e diasporës shqiptare në Zvicër për të mirën e atdheut, si dhe për situatën aktuale në Luginën e Preshevës, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm institucional dhe humanitar.

Edhe pse gjatë qëndrimit në Vatikan ishte i ftuar në disa takime dhe ngjarje të mëdha kulturore, PhD Hebibi nuk e harroi vizitën në këtë mision të posaçëm të Kosovës, duke rikujtuar edhe pjesëmarrjen e tij në delegacionet kosovare gjatë ceremonive për lumturimin e Nënë Terezës, të drejtuara nga presidenti Dr. Ibrahim Rugova dhe më pastaj edhe gjatë shenjtërimit.

Mirënjohje dhe vlerësim reciprok

Në përfundim të takimit, PhD Dashnim Hebibi shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për pritjen e përzemërt dhe kohën e ndarë nga Prof. Dr. Vehbi Miftari, duke vlerësuar rëndësinë e forcimit të komunikimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve aktivë të diasporës shqiptare në Evropë.

Nga ana e tij, Prof. Miftari i përcolli mysafirët me urimet më të mira për shëndet dhe mirëqenie, duke vlerësuar lart këtë vizitë dhe duke shprehur dëshirën që takime të tilla të përsëriten edhe në të ardhmen, transmeton helveticALforum.ch

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

- Reklama -spot_img

Të ngjashme