/ Nga Dr. Bledar Kurti/
(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)/
(̈ )
Në çdo betejë zgjedhore është fare e lehtë të parashikohet fituesi. Këtë lehtësi nuk na e ofron e ardhmja me suprizat e saj apo me profeci individuale pijetoresh, por na e ofron e kaluara. Mjafton të njohësh historinë e do njohësh edhe të ardhmen, pasi, siç dihet e siç është provuar, nuk ndodh asgjë e re nën diell.
Dhe ja çfarë na mëson historia: Që asnjë ushtri e përçarë, e cila si armë ka vetëm fjalët apo vetëkrekosjen, që është e pastërvitur dhe amatore nuk ka fituar kurrë kundrejt një ushtrie profesioniste.
Ushtritë profesioniste, gjatë dymijë e pesëqind vitet e fundit, në çdo formë, terren e mision të tyre, janë bazuar mbi dy strategji luftarake: Falangat Greke dhe Legjionet Romake.
Falangat dhe Legjionet ishin një formacion ushtarak masiv drejtkëndor, i përbërë zakonisht tërësisht nga këmbësoria e rëndë e stërvitur dhe e armatosur mirë. Ato marshonin përpara si një entitet. Si një trup. Ishin të pathyeshëm edhe përballë kundërshtarëve më të shumtë në numër.
Sigurisht që betejat zgjedhore nuk i përafrohen atyre luftarake, por modeli dhe parimi mbeten të njëjtë për çdo përballje. Sikurse edhe përballja e profesionalizmit me amatorizmin është gdhendur ndër epoka si një përballje universale.
Natyra e partive politike ka ndryshuar gjatë dekadave të fundit. Ndarja tradicionale midis së majtës dhe të djathtës është shuar. Kjo ka ndodhur jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë, me ideologiitë politike të mbetura vetëm në libra e tekste shkollore për studiuesit e politikës apo si lëndë mësimore për të justifikuar programet universitare. Ditët e sotme partitë kanë formën e korporatave. Dhe ashtu si korporatat kanë organigramë të mirëpërcaktuar të drejtimit, politikave zhvillimore, financës, prodhimit, marketingut dhe shitjeve. Një organizim “ushtarak” me falanga e legjione, kalorësi e strategji, për të konkurruar e dominuar tregun.
Kësisoj, për të dalluar qysh në krye të herës, fituesit dhe humbësit e 11 majit, por edhe çdo beteje zgjedhore në të ardhmen, mjafton të kuptosh se kush vepron në formacion të disiplinuar porsi Falangat dhe Legjionet, nën frymën e sigurisë, me besimin te strategjitë e mirë-llogaritura dhe të provuara me këmbë në tokë, e kush hidhet përpjetë si guerilas me shpresën te yjet dhe horoskopi.
Gjatë 18 viteve të punës dhe përvojës sime si këshilltar politik për një sërë shtetarësh të panunërt, nuk kam parë kurrë një profesionist të dëshpërohet apo gëzohet nga rezultati përfundimtar.
Kjo për arsyen e thjeshtë që plani ishte hartuar e projektuar që në fillim, përpara betejës, kurrësesi gjatë saj me shpresën te surprizat. Profesionistët nuk besojnë te surprizat. Ata hartojnë një strategji të bazuar mbi dy shtylla: disiplina dhe fryma. Të dyja në shërbim të njëra-tjetrës. Kjo është formula fituese. Kësisoj rezultati i betejës shihet shumë më herët se sa të ndodhë.
Dhe kjo vlen jo vetëm për krerët e forcave politike por edhe në biznes, administrim, drejtim institucional, etj. Profesionisti e sheh qartë vendmbërritjen. Sheh të nesërmen përpara se të vijë agimi. Thjesht pret kohën të rrjedhë dhe kujdeset që çdo hallkë të funksionojë siç është planifikuar. Profesionistët janë liderë ndaj edhe thuhet (një shprehje që i atribuohet Aleksandrit të Madh) “Unë nuk kam frikë nga një ushtri luanësh të udhëhequr nga një dele; Kam frikë nga një ushtri delesh të udhëhequra nga një luan.” Dhe udhëheqësit, pra profesionistët, e kanë parë që dje të ardhmen e afërt e të largët, ndërsa amatorët gënjejnë veten në pasqyrë, porsi gaztorë, duke imagjinuar kurora mbretërore mbi kryet e tyre.