Reshje të dendura shiu dhe bora priten deri në 900 metra mbi nivelin e detit. Një javë e paqëndrueshme nga ana meteorologjike ka nisur në Zvicër, me kushte që ndryshojnë ndjeshëm nga dita në ditë. E ndërsa e marta solli një ditë kryesisht të thatë me disa intervale me diell, nga mbrëmja parashikohen fronte të reja shiu që do të shënojnë fillimin e një përkeqësimi të motit.
Sipas MeteoSchweiz dhe SRF Meteo, gjatë javës priten erëra të fuqishme, madje lokalisht me forcë stuhie. Në zonat alpine dhe kodrat e Jurës, erërat mund të arrijnë shpejtësi deri në 150 km/h. Në zonat e ultësirës, era mund të fryjë me shpejtësi nga 60 deri në 90 km/h, transmeton 20min.ch.
E mërkura pritet të jetë e mbuluar me re dhe me reshje të herëpashershme gjatë gjithë ditës.
Temperaturat në mëngjes do të sillen rreth 10 gradë Celsius, ndërsa në mesditë do të ngjiten deri në 16 gradë. Në male, era do të jetë veçanërisht e fuqishme, sidomos mbi Jura dhe Alpet paraalpine.
Të enjten, një front i ftohtë pritet të kalojë mbi Zvicër, si pjesë e një sistemi të ulët presioni që lëviz nga Anglia, përmes Beneluksit drejt Danimarkës.
Ky sistem do të sjellë stuhinë e parë të vjeshtës në veriperëndim dhe veri të Zvicrës. Përveç erërave të fuqishme, do të ketë edhe një ulje të ndjeshme të kufirit të reshjeve të borës. Të enjten, kufiri i borës do të zbresë në rreth 1400 metra, ndërsa deri të hënën pritet të ulet deri në 900 metra mbi nivelin e detit.
Fundjava do të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm dhe reshje shiu, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin vetëm rreth 8 deri në 9 gradë Celsius. Zvicra duhet të përgatitet për një mot të ftohtë, me reshje dhe erëra të forta – një paralajmërim i qartë se dimri po afrohet, transmeton 20min.ch, përcjell sam24.info.
/Foto ilustrim
Përgaditi D.H